E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Trump përballet me testin e rëndësishëm politik mes pakënaqësisë për luftën në Iran dhe kostos së jetesës

FOKUS – Trump përballet me testin e rëndësishëm politik mes pakënaqësisë për luftën në Iran dhe kostos së jetesës

SHBA,, 3 nëntor/ATSH/ – Shtetet e Bashkuara zhvillojnë sot zgjedhjet e mesit të mandatit, ku do të rinovohet e gjithë përbërja e Dhomës së Përfaqësuesve dhe një e treta e vendeve në Senat, në një proces që konsiderohet si testi kryesor politik për presidentin në detyrë, Donald Trump, shkruan valigia blu.it.

Një humbje e mundshme e shumicës në njërën apo të dyja dhomat e Kongresit mund t’ia vështirësojë ndjeshëm presidentit zbatimin e agjendës së tij politike.

Trump mbërrin në këtë përballje në një pozicion të dobësuar, kryesisht për shkak të pasojave të luftës së zgjatur në Iran dhe rritjes së kostos së jetesës.

Sipas analizës së publikuar nga “The Guardian”, përballë mundësisë së humbjes, Trump ka rikthyer retorikën e përdorur edhe në vitin 2020, duke pretenduar se demokratët po përgatisin manipulimin e zgjedhjeve.

Kjo narrativë synon të krijojë dyshime mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe të legjitimojë kundërshtimin e rezultateve në rast të një disfate republikane.

Megjithatë, sipas gazetës, rreziku për demokracinë amerikane këtë herë konsiderohet edhe më i madh se gjashtë vjet më parë. Lëvizja MAGA është organizuar më herët dhe në mënyrë më të strukturuar, ndërsa Departamenti i Drejtësisë nuk paraqet të njëjtën shkallë pavarësie që kishte në vitin 2020, kur zyrtarë të lartë, përfshirë ish-zëvendëspresidentin Mike Pence dhe ish-prokurorin e përgjithshëm William Barr, kundërshtuan pretendimet më të skajshme të Trump.

Në administratën aktuale, sipas raportimit, poste të rëndësishme në Departamentin e Drejtësisë mbahen nga persona të afërt me presidentin, përfshirë Todd Blanche, ish-avokatin e tij personal.

Ndërkohë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka në dispozicion një buxhet prej 170 miliardë dollarësh.

Një pjesë e rëndësishme e retorikës së kampit MAGA është përqendruar te emigracioni, me pretendime se shtetas të huaj janë sjellë në SHBA për të votuar në favor të demokratëve.

Kjo narrativë, sipas gazetës “Il Manifesto”, po ndërthuret me operacionet kundër emigracionit dhe mund të krijojë klimë frikësimi për votuesit hispanikë.

Në Kaliforni, për shembull, ekziston shqetësimi se prania e mundshme e agjentëve të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) pranë qendrave të votimit mund t’i dekurajojë qytetarët me të drejtë vote, të cilët mund të druhen se tërheqin vëmendjen ndaj familjarëve pa dokumente.

Shqetësime ngre edhe dobësimi i mbrojtjeve të parashikuara nga Ligji për të Drejtat e Votës (Voting Rights Act), pas vendimeve të Gjykatës Supreme, që kanë kufizuar mbikëqyrjen federale ndaj ndryshimeve të rregullave zgjedhore në shtete të ndryshme.

Në një zhvillim të fundit, Gjykata Supreme e SHBA-së ka rrëzuar kërkesën e administratës Trump që Kalifornia të veçonte 20 mijë fletëvotime të dërguara me postë, për shkak të dyshimeve se disa prej tyre mund t’u ishin dërguar personave që nuk janë shtetas amerikanë.

Sipas analizës, krijimi i një perceptimi për parregullsi zgjedhore mund të shërbejë si bazë për ankesa dhe procese gjyqësore, me synimin për të pezulluar numërimin e votave ose për të vonuar certifikimin e rezultateve, duke penguar potencialisht edhe marrjen e detyrës nga kandidatët e zgjedhur.

Një tjetër çështje që ka tërhequr vëmendjen është gara për Senatin në Alaskë, ku kandidatja demokrate Mary Peltola është akuzuar nga republikanët se ka tentuar të ngatërrojë votuesit duke rekrutuar një kandidat tjetër me të njëjtin emër si kundërshtari i saj.

Peltola i ka mohuar akuzat, ndërsa kjo praktikë, ndonëse nuk konsiderohet në vetvete e paligjshme, është përdorur në debatin politik si argument për pretendimet mbi manipulimin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet e mesit të mandatit pritet të përcaktojnë jo vetëm raportin e forcave në Kongres, por edhe aftësinë e Donald Trump për të vijuar zbatimin e programit të tij politik gjatë pjesës së mbetur të mandatit presidencial.

Lini një koment