Protesta e së hënës në Tiranë, 16 gjoba nga 5 mijë lekë për bllokimin e rrugës, procedohen 2 të mitur
Policia e Tiranës ka vendosur 16 masa administrative ndaj personave që bllokuan qarkullimin e automjeteve gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Kryeministrisë. Ndërkohë, dy të mitur janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.
Sipas njoftimit të Policisë, masat administrative janë vendosur në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, pasi protestuesit bllokuan rrugën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar lëvizjen e automjeteve.
Policia bën me dije se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura përmes megafonit për lirimin e rrugës, personat në fjalë nuk iu janë bindur urdhrave të efektivëve.
Nga 16 masat administrative të vendosura, 14 janë dhënë ndaj personave të shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjera janë vendosur pas identifikimit të tyre përmes pamjeve filmike. Për secilin prej tyre është vendosur gjobë në vlerën 5 mijë lekë.
Policia tha gjithashtu se efektivët Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori për dy shtetas të mitur, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal.
Sipas Policisë, dy të miturit dyshohet se më 2 nëntor 2026, gjatë tubimit të organizuar nga studentët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme.