Projektbuxheti 2027/ Kumbaro: Rritje historike e buxhetit për arsimin, prioritet mbështetja e studentëve
Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, ka prezantuar në Komisionin për Edukimin dhe Shkencën dhe Sportet, projektligjin “Për Buxhetin e Vitit 2027” për arsimin.
Duke e konsideruar një rritje historike, Ministrja Kumbaro ka bërë me dije se projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Arsimit parashikohet në vlerën 67,95 miliard lekë.
“Ministria e Arsimit do të administrojë për vitin 2027 një buxhet prej 67,95 miliard lekësh, afërsisht 748 milion euro, me një rritje prej 4,8% krahasuar me buxhetin qe miratuam një vit më pare. Të pesë programet buxhetore për vitin 2027 marrin më shumë fonde se këtë vit që po përmbyllim, dhe asnjë zë i arsimit nuk hyn në vitin e ri me më pak buxhet, përkundrazi të gjitha zërat, që nga arsimi parauniversitar, deri tek arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, pësojnë rritje të ndjeshme, dhe këto do t’i paraqes gjatë fjalës në vijim”,- bëri me dije Kumbaro.
Kumbaro nënvizoi se me buxhetin e 2027 do të mbështeten në sektorin e arsimit të gjithë komponentët, nga arsimi parashkollorë tek arsimi i lartë dhe fondet e dedikuara për këtë sektore arrijnë në rreth 1,03 miliard euro.
“Fondet dedikuar sektorit të arsimit arrijnë në 93,7 miliard lekë, rreth 1,03 miliard euro, dhe parashikimi është që deri në vitin 2029 sektori të kalojë për herë të parë pragun e 100 miliard lekëve. Totali i vitit 2027 është 3,8 miliard lekë më shumë se buxheti fillestar i 2026. Investimet kapitale të Ministrisë së Arsimit arrijnë në rreth 19,5 miliard lekë në tre vitet 2027–2029, afërsisht 89% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët, dhe rriten me rreth 24% midis vitit 2025 dhe vitit 2029, më shumë se çdo kategori tjetër e buxhetit. Financimet e drejtpërdrejta të Ministrisë së Arsimit u shërbejnë: mbi 270 mijë fëmijëve dhe nxënësve të arsimit parashkollor dhe bazë, rreth 59 mijë nxënësve të arsimit të mesëm të lartë dhe rreth 79 mijë studentëve, e këtu flasim vetëm për institucionet publike. Gjithashtu janë 30.800 punonjës që paguhen nga buxheti i Ministrisë, konkretisht mësues, mësues ndihmës, psikologë, punonjës socialë e oficerë sigurie, si edhe nga rreth 5.800 anëtarë të trupës akademike, ndihmës akademikë e administrativë në universitetet publike”, – nënvizoi ministrja Kumbaro.
Projektbuxheti i vitit 2027 për arsimin arrin në 67,95 miliardë lekë, me një rritje prej 4,8% krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa financimi i përgjithshëm për sektorin e arsimit, përfshirë bashkitë, universitetet dhe institucionet e tjera, kap vlerën e 93,7 miliardë lekëve rreth 1,03 miliardë euro. Rritje e mëtejshme e investimeve në arsim, rritje e mbështetjes për studentët, arsim gjithëpërfshirës dhe zgjerim i programeve në arsimin parauniversitar janë shtyllat kryesore që mbështet buxheti i vitit 2027 në sektorin e Arsimit.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.