E martë, 3 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Vodhi makinën nga parkingu i një hoteli dhe i hoqi targat, arrestohet 31-vjeçarja në Sarandë

Vodhi makinën nga parkingu i një hoteli dhe i hoqi targat, arrestohet 31-vjeçarja në Sarandë

Një 31-vjeçare është vënë në pranga këtë të martë, pasi vodhi një automjet nga vendparkimi i një hoteli në Sarandë.

Sipas raportimeve të policisë, në pranga ka rënë E. S., 31 vjeçe, e cila është kapur 30 minuta pas kryerjes së vjedhjes. Ajo i kishte hequr targat automjetit dhe po lëvizte me të në qytet.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, për vjedhjen e automjetit të tij, të cilin e kishte parkuar në vendparkimin e një hoteli, në lagjen nr. 1, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe ndalimi i autores së dyshuar të vjedhjes së automjetit, shtetases E. S..

Kjo shtetase dyshohet se ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit A. M. dhe i ka hequr targat, të cilat i hedhur në një kazan mbeturinash, në dalje të qytetit.

Ajo është lokalizuar dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, në afërsi të tunelit të Skërficës, duke drejtuar automjetin e vjedhur, rreth 30 minuta pas vjedhjes së tij.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasja E. S., 31 vjeçe, banuese në Sarandë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Lini një koment