Publikohen datat e shfaqjes së muzikalit “Mbreti Luan”
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë (QKKF), Melsi Qirici, ka bërë publike datat e shfaqjeve të muzikalit “Mbreti Luan”, një produksion që pritet të sjellë në skenën e Teatrit të Kukullave një përvojë artistike dhe argëtuese për fëmijët dhe familjet.
Sipas njoftimit, shfaqja “Mbreti Luan” do të zhvillohet më 14, 15, 21, 22, 28 dhe 29 nëntor, në dy orare: 10:30 dhe 18:00.
I konceptuar si një përvojë imersive dhe unike, muzika, personazhet dhe bota e njohur e “Mbretit Luan” do t’i ftojnë fëmijët të bëhen pjesë e aventurës së savanës.
Muzikali vjen si një tjetër aktivitet kulturor që synon të afrojë publikun e vogël me artin dhe magjinë e teatrit. Sipas Qiricit, kjo pritet të jetë ngjarja më e veçantë e këtij sezoni. Muzikali “Mbreti Luan” do të jetë një produksion madhështor dhe imersiv, që premton të magjepsë vogëlushët përmes kukullave gjigante, muzikës, ngjyrave dhe surprizave të shumta.
I mundësuar nga MTKS-ja, ky është produksioni më i madh i këtij lloji i realizuar në Teatrin e Kukullave dhe do të prezantohet për publikun e vogël me plot 20 shfaqje gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.
Por aktivitetet nuk përfundojnë këtu. Në kuadër të festave kuqezi, është përgatitur edhe një program special nga fëmijët e talentuar të QKKF-së, i cili do të sjellë një atmosferë festive përmes performancave artistike, ekspozitave, punëtorive të pikturës dhe një koleksioni të veçantë veshjesh, të krijuara nga stilistet e vogla të kursit të kostumografisë.