Anulohet protesta e paralajmëruar kundër Kurtit, organizatori Aliu thotë se nuk mori leje nga Policia
Protesta e paralajmëruar për sot kundër kryeministrit Albin Kurti nuk do të mbahet. Organizatori i saj, Durim Aliu, siç ka konfirmuar organizatori për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se tubimi i thirrur për këtë të martë është anuluar.
Arsyeja e anulimit është mungesa e lejes nga Policia e Kosovës. Sipas Aliut, autoritetet kanë kërkuar që protesta të lajmërohet 96 orë përpara, ndërsa ai ka theksuar se sot nuk do të ketë protestë, pikërisht sepse nuk e kanë marrë lejen e Policisë.
Anulimi vjen pas protestës së mbajtur më 1 nëntor përpara ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, ku u kërkua dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti. Ajo protestë ishte thirrur nga qytetari Durim Aliu, i cili pati thënë se arsyeja kryesore ishte gjendja e vështirë ekonomike në Kosovë dhe se kërkesa kryesore ishte dorëheqja e Kurtit, e jo thjesht ndërrimi i ministrave.