Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi
Ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi është ndarë ditën e sotme në moshën 89-vjeçare.
Servet Pëllumbi ka qenë një nga eksponentët kryesorë të së majtës shqiptare duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në zhvillimet politike përgjatë viteve të demokracisë.
Ai lindi më 14 dhjetor të vitit 1936 në qytetin e Korçës dhe ka qenë figurë qendrore e politikës shqiptare, akademik dhe filozof, i cili shërbeu si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 2002 deri në vitin 2005.
Pëllumbi është vlerësuar si një nga personalitetet kryesore të Partisë Socialiste dhe shpesh cilësohej si “ideologu” i kësaj force politike, duke luajtur një rol kyç në transformimin e saj gjatë viteve ’90.
Përveç drejtimit të Parlamentit, ai ka shërbyer si deputet në disa legjislatura, duke përfaqësuar vendlindjen e tij, Korçën.
Servet Pëllumbi ishte profesor dhe doktor i shkencave filozofike.
Studimet i kreu në Universitetin e Shën Petërburgut dhe është autor i dhjetëra librave e studimeve mbi shkencat politike dhe filozofinë.
Servet Pëllumbi është dekoruar nga presidenti Alfred Moisiu me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.