Kush ishte Servet Pëllumbi, ‘profesori’ i së majtës shqiptare
Servet Pëllumbi i cili u nda nga jeta ditën e sotme në moshën 89-vjeçare do të mbahet mend si një personalitet i shquar i politikës shqiptare, i njohur kryesisht si një nga figurat kryesore të tranzicionit demokratik në Shqipëri.
Servet Pëllumbi ka lindur më 14 dhjetor të vitit 1936 në qytetin Korçës.
Ai kreu studimet e larta në Universitetin e Petersburgut ku mori titullin doktor i shkencave në Letërsi.
Karriera e tij akademike filloi si pedagog në Institutin Pedagogjik të Korçës (1960-1963) dhe vazhdoi në Universitetin e Tiranës.
Pas viteve 1990, ai u pozicionua si një nga themeluesit dhe drejtuesit e rëndësishëm të Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Pëllumbi shërbeu si nënkryetar i Partisë Socialiste deri në vitin 1996 dhe ka luajtur rol kyç në fushatat e rëndësishme politike, si kundërshtimi i referendumit për Kushtetutën dhe lirimin e Fatos Nanos.
Servet Pëllumbi ishte një nga protagonistët kryesorë të ngjarjeve pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 1996, ku protestuesit dhe përfaqësuesit e opozitës u dhunuan në sheshin “Skënderbej” nga pushteti i asaj periudhe i Sali Berishës pasi pretendonin se zgjedhjet parlamentare të 26 majit ishin manipuluar.
Jo pa qëllim, në lamtumirën drejtuar Pëllumbit, kryeministri Edi Rama ka përzgjedhur foton e gjakosur të 28 majit të vitit 1996, ku shfaqet Servet Pëllumbi së bashku me protestues të opozitës dhe një gazetar spanjoll. Fotoja bëri xhiron faqeve të agjencive botërore.
Nga viti 1991 e në vazhdim, Servet Pëllumbi ka qenë një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisione të ndryshme parlamentare.
Kulmi i karrierës së tij parlamentare ishte Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nga 30 Prilli 2002 deri më 3 Shtator 2005.
Përveç aktivitetit politik, ai ka ushtruar aktivitetin e tij intelektual duke qenë mjaft produktiv me një opus të gjerë letrar dhe shkencor.
Pëllumbi ka botuar mbi 15 libra në fushat e sociologjisë politike, filozofisë, etikës, globalistikës dhe analizës së tranzicionit shqiptar, ndër të cilët: Dritëhije të tranzicionit (2000), Të mendosh ndryshe (2001), Edhe politika do moral (2005), Etikokracia (2013), Përvoja ime në Partinë Socialiste (2016)
Pëllumbi është njohur për vizionin intelektual dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit politik e demokratik në Shqipëri. Ai është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga ish-presidenti Alfred Moisiu.
Servet Pëllumbi do të mbetet një figurë e respektuar, që shpeshherë thirrej mes kolegësh si “Profesor” për kontributin e tij akademik dhe politik.