FOKUS – 50 milionë evropianë nuk arrijnë të ngrohin banesat, BE përballet me krizën e energjisë
– Rreth 50 milionë qytetarë në Evropë nuk kanë mundësi të ngrohin siç duhet banesat e tyre, ndërsa kontinenti përgatitet të hyjë në dimër me rezervat e gazit në nivelin më të ulët që nga viti 2011, shkruan euronews.com.
Përballë rritjes së çmimeve të energjisë dhe pasigurisë së furnizimit, Bashkimi Evropian po shqyrton masa për të mbrojtur familjet nga një tjetër krizë energjetike.
Sipas të dhënave të publikuara, më 20 tetor rezervat e gazit në BE ishin vetëm 74% të mbushura, niveli më i ulët për këtë periudhë që nga viti 2011. Komisioni Evropian vlerëson se aktualisht nuk ekziston një rrezik i menjëhershëm për furnizimin, por pranon se kriza e çmimeve po merr gjithnjë e më shumë përmasat e një krize të furnizimit.
Mbyllja prej gati tetë muajsh e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë, ka shtuar presionin mbi tregjet ndërkombëtare.
Çmimi i naftës Brent ka arritur në 110 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e gazit janë rritur me 140% që nga nisja e luftës ndaj Iranit, duke kaluar për herë të parë që nga viti 2022 nivelin e 100 eurove për megavat-orë.
Në takimin e zhvilluar më 29 tetor në Luksemburg, ministrat e Energjisë të vendeve anëtare diskutuan katër paketa të mundshme masash: uljen vullnetare të konsumit, reduktimin e objektivit të mbushjes së rezervave të gazit nga 90% në 80%, rritjen e importeve të gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe blerjet e përbashkëta, si dhe masa për uljen e faturave të energjisë.
Ndër propozimet përfshihet edhe instalimi i matësve inteligjentë në gjysmën e banesave evropiane deri në vitin 2030, me synimin për të ndihmuar familjet të kontrollojnë dhe të ulin konsumin.
Megjithatë, takimi përfundoi pa vendime konkrete apo detyrime të përbashkëta për vendet anëtare. Qeveritë kanë qëndrime të ndryshme për blerjet e përbashkëta të energjisë dhe taksat, ndërsa një marrëveshje për tarifat e rrjeteve energjetike nuk pritet përpara muajit dhjetor.
Komisioni Evropian thekson se BE-ja është më e përgatitur për të përballuar një krizë energjetike krahasuar me periudhën përpara pushtimit rus të Ukrainës, por situata mbetet shqetësuese.
Edhe nëse rezervat e gazit do të jenë të mjaftueshme për të përballuar dimrin, sfida kryesore mbetet kostoja që do të duhet të përballojnë familjet dhe konsumatorët evropianë.