Mijëra tifozë të pikëlluar të Tenerifes mblidhen për lamtumirën e Jesus de Miguel
Tifozët e Tenerifes u mblodhën në stadiumin e klubit të martën në mbrëmje për t’i bërë homazhe Jesus de Miguel pas vdekjes së tij tragjike në moshën 30-vjeçare.
Sulmuesi i Tenerifes ndërroi jetë në spital pasi u përplas me portierin e FC Andorra, Jesus Owono, në një ndeshje të Segundës spanjolle të hënën. Owono u përjashtua nga fusha për këtë ndërhyrje, e cila e la De Miguel të dëmtuar në fushë dhe bëri që ndeshja të ndërpritej.
De Jesus pësoi dëmtime në kokë dhe gjoks. Gjendja e tij u përshkrua si serioze, por e qëndrueshme të hënën në mbrëmje, por ai ndërroi jetë të martën në mëngjes pasi shëndeti i tij u përkeqësua.
Autoritetet spanjolle kanë nisur një hetim ndaj Owonos për vrasje të mundshme nga pakujdesia ndërsa sipas shokëve të ekipit ai “u shemb emocionalisht” në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes.
Megjithatë, kryeprokurori i Santa Cruz de Tenerife, Jose Luis Sanchez-Jauregui, ka deklaruar se është “shumë e pamundur” që të hapet një procedim penal ndaj 25-vjeçarit.
Të martën në mbrëmje, para ndeshjeve të Ligës së Kampionëve në mbarë Evropën, u mbajt një minutë heshtje, e cila do të përsëritet edhe të mërkurën. Po ashtu, të martën në mbrëmje, në stadiumin e Tenerifes, “Estadio Heliodoro Rodriguez Lopez”, u përjetuan momente prekëse, teksa tifozët u mblodhën për të nderuar kujtimin e De Jesusit.
Mbështetësit vendosën lule, ndezën qirinj dhe lanë fotografi e mesazhe për De Jesusin. Në njërin prej mesazheve shkruhej: “Sot, zemra e Tenerifes është në zi. Është e vështirë të gjesh fjalë kur dikush, që ka qenë pjesë e historisë sonë, largohet para kohe”. A.V.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.