E mërkurë, 4 Nëntor 2026
54°F Detroit
Senati50 vende për shumicën
54
Demokratë
44
Republikanë
Demokratët fitojnë shumicën në Senat • 2 vende ende pa fitues të shpallur
Dhoma e Përfaqësuesve218 vende për shumicën
222
Demokratë
138
Republikanë
Demokratët fitojnë Dhomën • 75 vende ende pa fitues të shpallur
Rezultate jozyrtare, sipas projeksioneve të mediave • Përditësuar: 4 nëntor 2026, ora 07:31 (Detroit) • Të dhënat: Associated Press, Decision Desk HQ
Ballina›Bota›Sulme kibernetike ndaj supermarketeve në 11 shtete evropiane, BE-ja kërkon veprim të përbashkët

Sulme kibernetike ndaj supermarketeve në 11 shtete evropiane, BE-ja kërkon veprim të përbashkët

Sulmet kibernetike ndaj supermarketeve në të paktën 11 shtete evropiane kanë shkaktuar prishjen e sasive të mëdha të ushqimeve, duke nxitur reagimin e Bashkimit Evropian.

Sipas raportimeve të AFP-së dhe Reuters, hakerët kanë ndërhyrë në sistemet e ftohjes së supermarketeve, duke rritur në distancë temperaturat e frigoriferëve dhe ngrirësve.

Autoritetet në Gjermani, Rumani dhe Mbretërinë e Bashkuar raportuan të martën për incidente të reja, pas sulmeve të regjistruara një ditë më parë në Belgjikë, Estoni, Finlandë, Irlandë, Itali, Luksemburg, Holandë, Portugali dhe Suedi.

Në Gjermani janë prekur 4 supermarkete, ndërsa në Rumani 6 të tjera. Në Belgjikë, dhjetëra dyqane kanë raportuar probleme me sistemet e ftohjes, kurse në Itali janë goditur rreth 20 supermarkete.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Thomas Regnier, ka deklaruar se institucionet evropiane po bashkëpunojnë me autoritetet kombëtare për të koordinuar përgjigjen ndaj sulmeve.

“Këto nuk janë incidente të izoluara dhe, natyrisht, duhet të jemi kolektivisht të qëndrueshëm dhe të përgatitur për incidente të tilla kibernetike”, ka deklaruar Regnier.

Në Suedi, një sulm kibernetik ka bërë që temperatura e ngrirësve në një supermarket të arrijë deri në 50 gradë Celsius, duke detyruar punonjësit të hedhin sasi të mëdha ushqimesh.

Ndërkohë, në Itali, Giuseppe Spadaro, drejtues i një grupi që administron supermarkete të rrjetit Coop në Sicili, ka bërë të ditur se 4 dyqane janë prekur, duke shkaktuar dëme prej mijëra eurosh.

“Na është dashur të hedhim gjithçka. Raftet janë bosh”, ka deklaruar ai për gazetën italiane Corriere della Sera.

Qeveria italiane ka zhvilluar takime me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike. Zyra e kryeministres Giorgia Meloni ka njoftuar se ndikimi i sulmeve ka qenë i kufizuar, por institucionet mbeten në gatishmëri.

Në Mbretërinë e Bashkuar, hakerët kanë tentuar të godasin edhe ndërmarrje të vogla të përpunimit të mishit, megjithëse pasojat kanë qenë minimale.

Drejtori i Drejtorisë Kombëtare për Siguri Kibernetike të Rumanisë, Dan Cimpean, ka deklaruar se nuk dyshohet për përfshirjen e ndonjë shteti në këto sulme.

“Duket disi amatoreske. Nuk dyshojmë, në asnjë rrethanë, se bëhet fjalë për një aktor shtetëror”, ka thënë ai për AFP-në.

Autoritetet evropiane ende nuk kanë identifikuar përgjegjësit dhe motivet e sulmeve.

Incidentet pasojnë një valë të ngjashme sulmesh që goditi qindra supermarkete në Francë gjatë tetorit.

Lini një koment