Pushteti vendor me 114.6 miliardë lekë në vitin 2027, Demo: Prioritet digjitalizimi i shërbimeve
Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 114.6 miliardë lekë për pushtetin vendor, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë prezantimit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, bëri të ditur se prioritet do të jenë digjitalizimi i shërbimeve bashkiake, forcimi i kapaciteteve administrative dhe përgatitja për zbatimin e reformës territoriale.
Sipas projektbuxhetit, transferta e pakushtëzuar e përgjithshme do të jetë 29.3 miliardë lekë, me rritje 5.2%, ndërsa transferta e pakushtëzuar sektoriale parashikohet në 19.9 miliardë lekë, me rritje 2.4%.
Demo prezantoi gjithashtu sistemin AFMIS, të financuar nga Banka Botërore, i cili synon përmirësimin e planifikimit dhe monitorimit financiar të bashkive, përmes një paneli që do të mundësojë ndjekjen në kohë reale të financave vendore.
Ministri theksoi se viti 2027 do të shërbejë si periudhë tranzicioni për bashkitë e reja, ndërsa përgatitjet administrative dhe financiare do të synojnë konsolidimin e tyre.
Gjatë diskutimeve, Demo u ndal edhe te trajtimi i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe rastet e pretenduara të shkeljeve gjatë protestave. Ai bëri të ditur se aktualisht janë 9 punonjës policie të pezulluar, ndërsa rreth 50 raste janë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).