Zgjerimi i BE-së, KE: Përparime nga Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina, mbështetje të fortë Kosovës
– Komisioni Evropian miratoi sot Paketën vjetore të Zgjerimit e cila vlerëson progresin e arritur gjatë vitit të fundit nga vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përcakton prioritetet e reformave për periudhën e ardhshme.
Zgjerimi është një nga politikat më të rëndësishme të BE-së, që garanton paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në të gjithë kontinentin. I mbështetur fort në parimin e meritës, një proces i besueshëm zgjerimi përfaqëson gjithnjë e më shumë një investim në sigurinë kolektive të Evropës.
Paketa e këtij viti dëshmon se reformat e qëndrueshme sjellin përparim konkret drejt anëtarësimit në BE, siç tregohet nga Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina.
Të katër vendet kanë avancuar në negociatat e anëtarësimit, duke hapur grupkapituj negociues dhe duke mbyllur përkohësisht kapituj me një ritëm të paprecedentë.
Gjatë këtij viti, Komisioni ka paraqitur paketën financiare për anëtarësimin e Malit të Zi në BE, ndërsa puna për hartimin e traktatit të anëtarësimit është në zhvillim të plotë.
Në vijim të këtij procesi dhe siç njoftoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj për Gjendjen e Bashkimit në vitin 2026, Komisioni po paraqet sot udhërrëfyes orientues për katër vendet më të avancuara në negociatat e anëtarësimit, duke përcaktuar objektiva konkrete për vitin e ardhshëm.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se përparimi i rëndësishëm i arritur nga disa vende kandidate gjatë vitit të fundit bën të mundur që premtimi i zgjerimit të shndërrohet në realitet.
“Ne po propozojmë tashmë një sërë udhërrëfyesish orientues për vendet më të avancuara në negociata, Malin e Zi, Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë. Një rrugë e qartë për vitin e ardhshëm dhe një bazë e qëndrueshme për negociatat e ardhshme. Hap pas hapi, po ndërtojmë një Bashkim më të plotë dhe më të fortë”, u shpreh von der Leyen.
Raportet tregojnë se ritmi i reformave, veçanërisht në fushat e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore, së bashku me zgjedhjet politike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe përparimi drejt përafrimit ekonomik, përcaktojnë drejtpërdrejt shpejtësinë e procesit të anëtarësimit për secilin vend.
Reformat, investimet dhe integrimi gradual i vendeve kandidate po forcojnë tashmë kapacitetin e Bashkimit Evropian për të mbrojtur interesat e tij, për të reduktuar cenueshmërinë dhe për të krijuar mundësi të reja.
Për të maksimizuar këto përfitime përpara anëtarësimit, Komisioni po paraqet gjithashtu një kuadër të përbashkët për integrimin gradual, me synimin për të thelluar bashkëpunimin në sektorë strategjikë, si energjia, transporti, teknologjia digjitale dhe mbrojtja. Kjo do ta bëjë integrimin gradual më të strukturuar dhe më koherent.
Ndërsa vendet kandidate avancojnë në rrugën e reformave, BE-ja duhet të jetë e përgatitur për t’i mirëpritur ato dhe për të ecur me të njëjtin ritëm me përparimin e tyre.
Përmes komunikatës së fundit “Përgatitja për një Bashkim më të gjerë”, Komisioni ka hedhur bazat për të garantuar që një Bashkim Evropian më i madh të jetë njëkohësisht më i fortë, më rezistent dhe më efektiv.
Përfundimet kryesore për vendet kandidate
Mali i Zi
Mali i Zi ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm drejt anëtarësimit në BE, duke mbyllur përkohësisht deri më tani 21 kapituj negociues.
Nëse merret miratimi i shteteve anëtare, Mali i Zi mund të mbyllë përkohësisht edhe kapitujt e mbetur deri në fund të këtij viti.
Puna që po zhvillohet për traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi, së bashku me miratimin e përfundimeve të Këshillit për paketën financiare të anëtarësimit të vendit në BE, konfirmojnë se Mali i Zi është pranë fazës përfundimtare të procesit.
Vazhdimi i reformave dhe ruajtja e një konsensusi të gjerë politik mbeten thelbësore për të ardhmen evropiane të vendit.
Shqipëria
Shqipëria vijon të shënojë përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë periudhës së raportimit, vendi hapi grupkapitullin e fundit të mbetur në negociata dhe përmbushi standardet e ndërmjetme për kapitujt që lidhen me shtetin e së drejtës, duke hapur rrugën për mbylljen e përkohshme të katër kapitujve.
Tashmë nevojiten përpjekje të mëtejshme në të gjithë kapitujt e mbetur.
Arritja e objektivit ambicioz, por të realizueshëm të Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 kërkon ruajtjen e ritmit të reformave dhe nxitjen e një dialogu politik gjithëpërfshirës.
Vijimi i këtij ritmi kërkon zbatimin e shpejtë të reformave cilësore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Në të njëjtën kohë, gjatë periudhës së raportimit, vendi përjetoi mobilizimin më të madh qytetar që prej tranzicionit demokratik.
Anëtarësimi në BE është një proces që kërkon përfshirjen e të gjithë shoqërisë dhe një dialog konstruktiv.
Moldavia
Moldavia ka vijuar të shënojë përparim të qëndrueshëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, duke hapur katër grupkapituj gjatë vitit të fundit.
Vlerësimi i Komisionit mbetet se Moldavia i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e të gjithë grupkapitujve të mbetur.
Vendi ka intensifikuar përafrimin e legjislacionit të tij me acquis të BE-së në të gjithë kapitujt dhe ka shënuar përparim të mëtejshëm në reformat kryesore që lidhen me shtetin e së drejtës.
Gjithashtu, ka bërë përparim shumë të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve të ndërmjetme në grupkapitullin e bazave themelore.
Tashmë është e rëndësishme që Moldavia të ruajë ritmin aktual të reformave, për të mundësuar përmbushjen e objektivit ambicioz, por të realizueshëm për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në fillim të vitit 2028.
Ukraina
Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE, pavarësisht sfidave të shkaktuara nga lufta e agresionit të Rusisë, duke hapur katër grupkapituj gjatë vitit të fundit.
Vlerësimi i Komisionit mbetet se Ukraina i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e të gjithë grupkapitujve të mbetur.
Vendi ka vijuar të avancojë reformat kryesore sektoriale. Kuadri institucional për luftën kundër korrupsionit mbetet efektiv, ndërsa institucionet e specializuara antikorrupsion vazhdojnë të funksionojnë përgjithësisht në mënyrë të pavarur dhe efektive.
Fokusi tashmë duhet të jetë te përmbushja e standardeve të ndërmjetme në fushën e shtetit të së drejtës, si dhe zbatimi i udhërrëfyesve për shtetin e së drejtës, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën e administratës publike, si dhe i planit të veprimit për pakicat kombëtare.
Është e rëndësishme që Ukraina të përshpejtojë ritmin e reformave, në mënyrë që të jetë në gjendje të përmbushë objektivin ambicioz për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2028.
Serbia
Serbia nuk ka shënuar asnjë përparim thelbësor në negociatat e anëtarësimit në BE.
Periudha e raportimit u karakterizua nga rritja e polarizimit shoqëror, përfshirë edhe në kontekstin parazgjedhor.
Ndërsa Serbia ka avancuar punën për përafrimin me legjislacionin dhe standardet teknike të BE-së, tendencat negative në fushat themelore të procesit të anëtarësimit kanë qenë në kundërshtim me objektivin e deklaruar të autoriteteve për anëtarësimin në BE dhe me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga evropiane e vendit.
Përafrimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (CFSP) mbetet në nivel të ulët.
Serbia duhet gjithashtu të zbatojë të gjitha detyrimet që burojnë nga Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, i cili mbetet pjesë integrale e perspektivës së saj evropiane.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi i kanë dhënë qeverisë së sapozgjedhur një mandat të fortë për reforma.
Përparimi drejt anëtarësimit në BE do të varet nga përpjekjet e qeverisë së re për të përmbysur tendencat negative dhe për t’u dhënë përparësi çështjeve themelore, përfshirë kriteret demokratike, sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore.
Qeveria duhet të rikthejë dialogun demokratik dhe respektues, të dëshmojë një angazhim të qartë dhe të pakushtëzuar ndaj vlerave të BE-së, përfshirë përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Unionit, si dhe të angazhohet për pajtimin, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe normalizimin e marrëdhënieve.
Maqedonia e Veriut
Maqedonia e Veriut ka vijuar punën për përmbushjen e standardeve të nevojshme për hapjen e grupkapitullit të bazave themelore.
Kjo përfshin miratimin e udhërrëfyesit për reformën e administratës publike dhe vijimin e punës për udhërrëfyesin mbi shtetin e së drejtës, së bashku me planin shoqërues të veprimit për pakicat.
Maqedonia e Veriut ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat është zotuar t’i ndërmarrë.
Nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e shtetit të së drejtës.
Vendi ka shënuar përparim të rëndësishëm në zbatimin e reformave në kuadër të Agjendës së Reformave, duke u renditur ndër performuesit më të mirë në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike.
Intensifikimi i përpjekjeve për miratimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese dhe përmbushjen e standardeve për hapjen e negociatave mbetet thelbësor për avancimin e procesit të anëtarësimit.
Bosnjë-Hercegovina
Bosnjë-Hercegovina ka vijuar të deklarojë publikisht angazhimin e saj për integrimin në BE si një objektiv strategjik, ndërkohë që në praktikë është larguar gjithnjë e më shumë nga rruga evropiane.
Qëndrimet politike, retorika përçarëse dhe narrativat kundër BE-së u shtuan përpara zgjedhjeve të përgjithshme.
Pas zgjedhjeve, Bosnjë-Hercegovina duhet të vijojë me shpejtësi ngritjen e të gjitha institucioneve ekzekutive dhe legjislative dhe të dëshmojë një angazhim të ripërtërirë për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.
Vendi duhet gjithashtu të ndërmarrë urgjentisht hapat e nevojshëm për të përfituar plotësisht nga Agjenda e Reformave e miratuar në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje Ekonomike.
Kosova
Procesi i reformave të Kosovës në kuadër të integrimit evropian ka ngecur për shkak të një krize të zgjatur institucionale, e cila u lehtësua pas një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.
Ndërsa është shënuar njëfarë përparimi në luftën kundër krimit të rëndë dhe krimit të organizuar, si dhe në përafrimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, janë evidentuar zhvillime shqetësuese lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor dhe respektimin e të drejtave themelore.
Pas transferimit të qeverisjes vendore në veri të Kosovës, Komisioni Evropian hoqi masat e vendosura ndaj Kosovës, duke rifilluar angazhimin përmes Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe duke rinisur dhënien e ndihmës financiare.
Mbështetja për rrugën evropiane mbetet e fortë, por Kosova duhet të intensifikojë procesin e reformave dhe të zbatojë të gjitha detyrimet që burojnë nga Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, i cili mbetet pjesë integrale e perspektivës evropiane të vendit.
Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë një Opinion mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim, nëse këtë e kërkon Këshilli.
Turqia
Turqia mbetet vend kandidat dhe një partner i rëndësishëm për Bashkimin Evropian.
BE-ja ka vijuar të zhvillojë marrëdhëniet me Turqinë në mënyrë graduale, proporcionale dhe të kthyeshme, duke u angazhuar në fushat me interes të përbashkët.
Megjithatë, veprimet ligjore të ndërmarra ndaj zyrtarëve të zgjedhur, përfaqësuesve të opozitës dhe shoqërisë civile janë intensifikuar, duke ngritur shqetësime në rritje për respektimin nga Turqia të parimeve themelore demokratike.
Hendeku midis objektivit të deklaruar të Turqisë për anëtarësimin në BE dhe regresit të saj në përmbushjen e kritereve themelore politike për anëtarësim është zgjeruar më tej.
Faktorët kryesorë që çuan në pezullimin e negociatave të anëtarësimit në vitin 2018 mbeten të pazgjidhur.
Gjeorgjia
Procesi i anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE mbetet de facto i pezulluar dhe vlerësimi i Komisionit se Gjeorgjia është një vend kandidat vetëm në emër vazhdon të mbetet i vlefshëm.
Gjeorgjia vijon të mos përmbushë nëntë hapat e përcaktuar në rekomandimin e Komisionit për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Partia në pushtet ka vijuar të minojë parimet demokratike, shtetin e së drejtës, të drejtat themelore dhe hapësirën e shoqërisë civile, duke lehtësuar njëkohësisht kapjen e mëtejshme të shtetit.
Nëse autoritetet gjeorgjiane nuk ndryshojnë kurs dhe nuk riafirmojnë angazhimin ndaj parimeve themelore që mbështesin procesin e anëtarësimit në BE, vendi do të vazhdojë të humbasë përfitimet që ofrojnë statusi kandidat dhe procesi i para-anëtarësimit.
Mbështetja e kahershme e BE-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë mbetet e palëkundur, ashtu si edhe mbështetja për aspiratat evropiane të popullit gjeorgjian.
Udhërrëfyes të qartë drejt anëtarësimit në BE
Duke marrë në konsideratë përparimin e arritur nga Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina, Komisioni Evropian paraqiti sot udhërrëfyes orientues, me objektiva dhe afate konkrete për vitin e ardhshëm.
Duke u mbështetur në përvojat e zgjerimeve të mëparshme, veçanërisht ato të viteve 2004 dhe 2013, këta udhërrëfyes do të ndihmojnë në organizimin e fazave të ardhshme të përgatitjes në një mënyrë më të strukturuar dhe transparente.
Ata do të mbështesin punën si të vendeve kandidate, ashtu edhe të institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së.
Komisioni mund t’i përshtatë udhërrëfyesit në varësi të përparimit të bërë në përmbushjen e kushteve të kërkuara dhe do t’i përditësojë ata rregullisht, bazuar në rezultatet e arritura.
Komisioni është i gatshëm të paraqesë udhërrëfyes të ngjashëm edhe për vendet e tjera kandidate, pasi ato të arrijnë një nivel të ngjashëm përparimi, ritmi dhe angazhimi në negociatat e anëtarësimit.
Përgatitja për anëtarësim përmes integrimit gradual
Në komunikatën e saj të fundit “Përgatitja për një Bashkim më të gjerë”, Komisioni Evropian thekson nevojën për forcimin e integrimit gradual të vendeve kandidate, ndërsa ato avancojnë drejt anëtarësimit në BE.
Për këtë qëllim, Komisioni paraqiti sot një hartëzim të instrumenteve ekzistuese, që do të shërbejë si bazë për identifikimin e mundësive të reja për thellimin e integrimit në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë, transportin, teknologjinë digjitale dhe mbrojtjen.
Në varësi të përmbushjes së kushteve, integrimi gradual i përforcuar do të nxisë më tej rritjen ekonomike, konkurrueshmërinë dhe sigurinë, duke mbetur një pjesë integrale e procesit të anëtarësimit.
Ky hartëzim synon të garantojë më shumë koherencë, parashikueshmëri dhe mundësi për rishikim, duke mundësuar një integrim më të strukturuar, i cili sjell përfitime të qarta si për vendet kandidate, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.
Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, Komisioni do të nisë dialogun për integrimin gradual me vendet kandidate, me qëllim vlerësimin e masave ekzistuese dhe financimit të tyre, si dhe identifikimin e mundësive më të përshtatura për secilin vend.