SHBA investon mbi 40 mln dollarë për sigurinë kibernetike të Shqipërisë, ambasadori Wendt: Së bashku po ndërtojmë një infrastrukturë digjitale më të fortë
Shtetet e Bashkuara kanë investuar më shumë se 40 milionë dollarë për të forcuar mbrojtjen kibernetike të Shqipërisë ndaj sulmeve dhe kërcënimeve të sponsorizuara nga qeveri të huaja.
Lajmi u bë i ditur gjatë Konferencës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike në Shqipëri, ku ambasadori amerikan Eric Wendt vlerësoi përparimin e vendit në rritjen e qëndrueshmërisë digjitale dhe forcimin e kapaciteteve për përballimin e kërcënimeve kibernetike.
Wendt theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke veçuar investimet në infrastrukturën digjitale dhe trajnimet për përgatitjen e ekspertëve të rinj të sigurisë kibernetike, përfshirë programin CyberNext.
“Së bashku po ndërtojmë një infrastrukturë digjitale më të fortë e më të sigurt për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n”, thuhet në mesazhin e ambasadës amerikane.
Investimi synon të rrisë aftësinë e Shqipërisë për të parandaluar dhe përballuar sulmet kibernetike, në një kohë kur kërcënimet ndaj sistemeve digjitale dhe infrastrukturës kritike përbëjnë një sfidë të rëndësishme për sigurinë kombëtare dhe atë të aleancës.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.