E mërkurë, 4 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Keqtrajtimi i studentëve, arrestohet komandanti i njësisë speciale në Serbi

Keqtrajtimi i studentëve, arrestohet komandanti i njësisë speciale në Serbi

Komandanti i Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit (SAJ) të Serbisë, Igor Zhmiriç, si dhe disa pjesëtarë dhe ish-pjesëtarë të Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara (JZO), janë arrestuar nën dyshimin për keqtrajtimin e studentëve në garazhin e Qeverisë së Serbisë, sipas mediave lokale serbe.

Urdhër arresti u lëshua nga Prokuroria Themelore në Beograd, nën dyshimin se në gusht të vitit të kaluar ata keqtrajtuan studenten Nikolina Singjelliç dhe kolegët e saj në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, sipas Radio Televizionit të Serbisë (RTS).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se me urdhër të prokurorit janë ndaluar për 48 orë tetë zyrtarë policorë dhe një qytetar, i cili në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale e keqtrajtimit dhe torturës ishte zyrtar policor.

Sipas MPB-së serbe, të dyshuarit më 14 gusht të vitit 2025, nga ora 22:30 deri rreth orës 01:00 pas mesnatës, në garazhin e ndërtesës së Qeverisë së Serbisë, duke përdorur forcë dhe duke kërcënuar, u shkaktuan dhimbje dhe vuajtje të mëdha disa personave, me qëllim që të merrnin informacione prej tyre, t’i frikësonin dhe t’i ndëshkonin në mënyrë të paligjshme.

Televizioni N1 raportoi se komandanti i SAJ-it është shoqëruar në ambientet e Sektorit të Kontrollit të Brendshëm. Përveç Zhmiriçit, nga autoritetet serbe është shoqëruar edhe ndihmësi i tij, Goran Fillipoviç, raportoi gazeta Danas.

Studentja Nikolina Singjelliç e akuzoi shefin e Drejtorisë së Policisë Kriminale të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Marko Kriçak, për kërcënime me përdhunim dhe përdorim të tepruar të forcës pas arrestimit të saj gjatë një proteste kundër Qeverisë në Beograd, në gusht të vitit 2025.

Para se të merrte drejtimin e SAJ-it, Zhmiriç, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, ishte ndihmëskomandant i Njësisë për Operacione Speciale të Xhandarmërisë (JZO), nën komandën e Kriçakut.

Kriçak tashmë ndodhet në paraburgim në lidhje me rastin e një vrasjeje në një restorant në lagjen Senjak dhe për akuza për keqtrajtim dhe torturë.

Përveç Kriçakut, masa e paraburgimit njëmujor për këtë rast i është caktuar edhe shefit të Shërbimit për Luftimin e Krimit, Boshko Sekulloviç.

Sipas Gjykatës së Lartë të Beogradit, vendimi për paraburgim ndaj të dyve u mor për shkak se ka dyshime se nëse ata lihen të lirë mund të ndikojnë në procedurë dhe te dëshmitarët.

Kriçak dhe Sekulloviç akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për keqtrajtim dhe torturë.

Kriçak kishte drejtuar një aksion policor në një restorant në lagjen Senjak, ku fillimisht, në kallëzimin penal të policisë për këtë krim ishte përfshirë Vesellin Milliç, i cili në atë kohë, përveçse ishte ndihmësdrejtor, ishte edhe shef i policisë së Beogradit.

Ai u bë i njohur për publikun pasi studentja Nikolina Singjeliç e akuzoi për kërcënim dhe brutalitet policor të kryera në garazhin e ndërtesës së ekzekutivit në Serbi, gjatë protestave të vitit të kaluar, dhe ngriti kallëzim penal kundër tij.

Studentët kishin organizuar protesta kundër autoriteteve serbe, pas shembjes së strehës prej betonit në një stacion hekurudhor në Novi Sad, ku kishin vdekur 16 persona.

Ata kishin raportuar për përdorim të tepruar të forcës, teksa prokuroria në Serbi po ashtu ka hetuar për përdorimin e një “topi zanor” gjatë protestave të organizuara nga studentët në janar të vitit të kaluar.

Një lëvizje politike, që doli nga këto protesta, e quajtur Lista Studentore, i fitoi zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 25 tetor, duke larguar nga pushteti pas 14 vjetësh ish-presidentin Aleksandar Vuçiç. Lista Studentore ende nuk ka formuar institucionet e reja.

Lini një koment