Maqedonia e veriut triumfon në Festivalin e Filmit në Tokio, Mançevski fiton Çmimin e madh
TOKIO, 5 nëntor, ATSH/ Filmi “Sister Brother Manhole Cover”, me skenar dhe regji të regjisorit maqedonas Milço Mançevski, ka fituar Çmimin e Madh (Tokyo Grand Prix) në edicionin e 39-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tokio, të shpallur më 4 nëntor.
Ai është një bashkëprodhim ndërkombëtar i Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bullgarisë, Serbisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku Shqipëria përfaqësohet nga Tirana Film Institute
Filmi, një komedi e zezë, rrëfen historinë e Malinës dhe Viktorit, një motër e një vëllai që përpiqen të mbijetojnë në skajet e shoqërisë maqedonase. Për të siguruar jetesën, ata vjedhin buste bronzi dhe kapakë pusetash, derisa rrugët e tyre kryqëzohen me një grua të moshuar, të pasur dhe të verbër. Përmes marrëdhënies me të, dy personazhet përballen me kufijtë mes së drejtës dhe së gabuarës, si dhe me kuptimin e përkushtimit ndaj njëri-tjetrit.
Në rolet kryesore interpretojnë Sara Klimoska dhe Filip Trajkovikj, ndërsa pjesë e kastit është edhe Sonja Mihajlova. Producentja e filmit është Jane Kortoshev.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tokio, i themeluar në vitin 1985, është një nga ngjarjet më të rëndësishme kinematografike në Azi, duke sjellë çdo vit në konkurrim produksione nga vende të ndryshme të botës dhe duke promovuar autorë e prurje të reja në kinemanë ndërkombëtare.
Mançevski u bë i njohur ndërkombëtarisht me filmin “Before the Rain”, i cili fitoi Luanin e Artë dhe çmimin FIPRESCI në Festivalin e Venecias, si dhe u nominua për çmimin Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Ndër veprat e tij të tjera janë “Dust”, “Mothers” dhe “Willow”. Me filmin e ri, regjisori rikthehet në Festivalin e Tokios, ku edhe filmi i tij i mëparshëm, “Kaymak”, u prezantua premierë botërore në konkurrimin zyrtar.