Policia del me njoftim zyrtar për shpërthimin në Elbasan: Dyshohet prania e tepërt e gazit në banesë
Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me shkaqet e shpërthimit të fuqishëm që ndodhi një ditë më parë në një pallat në Elbasan, ku humbën jetën dy persona. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shpërthimi dhe zjarri që pasoi janë shkaktuar nga prania e një sasie të tepërt gazi në banesën e 69-vjeçarit Hamit Ibro.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshimi paraprak për shkakun e shpërthimit ka dalë nga veprimet hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Me përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit dhe nxjerrjen e trupit të 69-vjeçarit, vëmendja është përqendruar tashmë te zbardhja e plotë e rrethanave të ngjarjes tragjike në lagjen “Beqir Dardha”.
Ndërkohë, pritet që specialistët e Institutit të Ndërtimit të analizojnë gjendjen e godinës dhe shkallën e dëmtimeve, për të përcaktuar nëse pallati mund të jetë ende i banueshëm.
Paralelisht, mbetet për t’u zgjidhur edhe çështja e strehimit të banorëve që u detyruan të lënë banesat pas shpërthimit. Bashkia e Elbasanit ka njoftuar se do të koordinojë me institucionet përgjegjëse masat për sistemimin e tyre dhe ndërhyrjet që do të diktohen nga ekspertiza teknike.
Njoftimi i policisë
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, për zjarrin në katin e tretë të pallatit në lagjen “Qemal Stafa”, informojmë se pas disa orësh kërkimesh intensive, nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcave të Armatosura, të Emergjencave Civile dhe Zjarrfikësit, u gjet, rreth orës 00:40, trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, shtetasit H. I., 69 vjeç.
Si pasojë, humbi jetën në vendngjarje shtetasja H. B., 82 vjeçe. Gjithashtu, u dëmtuan 10 banorë në të njëjtin pallat, të cilët morën asistencë mjekësore dhe u larguan nga ambientet e spitalit, si dhe pati dëme të shumta materiale.
Nga veprimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me ekspertët xhenierë të RENEA-s dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, paraprakisht dyshohet se shpërthimi dhe më pas zjarri janë shkaktuar nga prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon këqyrjen në vendin e ngjarjes dhe veprimet e tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, njofton policia.