Britania mund të rikthehet në BE pa miratuar euron, por duhet të pranojë lëvizjen e lirë të njerëzve
– Britania e Madhe mund të rikthehet në Bashkimin Evropian pa qenë e detyruar të miratojë euron, por duhet të pranojë lëvizjen e lirë të njerëzve, deklaroi ish-negociatori kryesor i BE-së për Brexit-in, Michel Barnier.
Në një intervistë për “Sky News”, Barnier theksoi se negociatat për anëtarësimin e Britanisë në BE mund të nisin pa detyrimin për të adoptuar monedhën e përbashkët evropiane.
Megjithatë, ai nënvizoi se pjesëmarrja në tregun e vetëm evropian kërkon respektimin e katër lirive themelore: lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.
Sipas Barnier, Londra nuk mund të zgjedhë vetëm ato elemente të tregut të vetëm që i përshtaten interesave të saj, duke përjashtuar të tjerat.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur në Britaninë e Madhe po rritet debati për të ardhmen e marrëdhënieve me BE-në. Kryeministri Andy Burnham ka kërkuar një diskutim të hapur mbi pasojat e Brexit-it dhe mundësitë për një marrëdhënie më të afërt me bllokun evropian.
Sipas të dhënave të sondazhit të cituara nga “The Independent”, mbështetja për rikthimin e Britanisë në BE ka arritur në 61%.
Ndërkohë, debati për ndikimin ekonomik të Brexit-it vijon të jetë në qendër të diskutimeve politike, veçanërisht për tregtinë, investimet dhe kostot që përballojnë bizneset britanike.