E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Arti dhe kultura 3,37 miliardë lekë në 2027-ën, 1,5 miliardë vetëm për investime

Arti dhe kultura 3,37 miliardë lekë në 2027-ën, 1,5 miliardë vetëm për investime

Programi “Arti dhe Kultura” për vitin 2027 parashikon rritjen e financimit për institucionet publike, mbështetjen e krijimtarisë së pavarur, zgjerimin e aktivitetit kulturor dhe ndërkombëtarizimin e artit shqiptar.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka theksuar në projektbuxhetin 2027 për këtë program është parashikuar një tavan buxhetor prej 3,37 miliardë lekësh, nga të cilat rreth 1,5 miliardë lekë, ose 45%, do të orientohen drejt investimeve publike.

Ndërkohë, fondi për projektet artistike arrin në 495,9 milionë lekë, me rritje 21,7% krahasuar me vitin 2026, duke synuar zgjerimin e prodhimit artistik, mbështetjen e artistëve dhe organizatave të pavarura kulturore.

“Një nga prioritetet është fuqizimi financiar dhe artistik i institucioneve publike kombëtare. Financimi që u vihet në dispozicion në fillim të vitit parashikohet të kalojë 200 milionë lekë në vitin 2027, nga 47,3 milionë lekë në janar 2024, duke shënuar një rritje prej mbi 322%”, tha Gonxhja.

Rritja e mbështetjes financiare është shoqëruar me zgjerimin e aktivitetit të institucioneve.

“Gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026, ato kanë regjistruar mbi 206 mijë spektatorë dhe 32,4 milionë lekë të ardhura nga biletat, kundrejt rreth 39 mijë spektatorëve dhe 9,3 milionë lekëve të ardhura gjatë gjithë vitit 2013. Vetëm në periudhën janar-gusht 2026 janë realizuar 771 shfaqje dhe premiera, përfshirë 73 premiera të reja. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i premierave është rritur me 52,1%, spektatorët me 6,9%, ndërsa të ardhurat nga biletat me 90,5%”, bëri të ditur Gonxhja.

Një tjetër drejtim është mbështetja e krijimtarisë së pavarur përmes Programit Kombëtar të Granteve për Kulturën.

“Fondi për projektet artistike dhe kulturore, i cili në vitin 2014 ishte 51 milionë lekë, arriti në 377,7 milionë lekë në vitin 2026, me rritje rreth 640%. Gjithashtu, në vitin 2026 u krijua për herë të parë Fondi i Krijimtarisë për institucionet e artit dhe kulturës, me financim prej 25 milionë lekësh, përmes të cilit janë mbështetur rreth 90 artistë dhe krijues pranë institucioneve kombëtare”, tha Gonxhja.

Ndërkombëtarizimi i kulturës shqiptare do të vijojë përmes Javëve Kulturore Ndërkombëtare 2027, një program që gjatë pesë viteve ka përfshirë 30 shtete, mbi 1 400 aktivitete, më shumë se 2 200 artistë ndërkombëtarë dhe mbi 1 milion pjesëmarrës.

Paralelisht, programi “Ditët Kulturore Shqiptare në Botë – CulturAlb 2027”, i nisur në vitin 2025, do të vijojë promovimin e artistëve shqiptarë jashtë vendit. Deri tani, përmes kësaj nisme janë mbështetur 909 artistë shqiptarë, në 160 aktivitete të zhvilluara në 18 shtete.

Në drejtim të investimeve për vitin 2027 Gonxhja u shpreh se “janë parashikuar 1,5 miliardë lekë, me fokus përfundimin dhe vënien në funksion të dy projekteve madhore: Galerisë Kombëtare të Arteve dhe Qendrës Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave”.

Programi i investimeve për periudhën 2027-2029 synon gjithashtu modernizimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve teknike të institucioneve kulturore.

Lini një koment