Zvicra hap sot ambasadën e re në Kosovë
Zvicra do ta hapë ambasadën e re në Kosovë, në një ceremoni ku do të marrin pjesë ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe ministri i Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Cassis.
Lajmin e ka bërë të ditur Konjufca, i cili ka njoftuar se hapja e ambasadës do të bëhet gjatë pasdites, në kuadër të vizitës së ministrit zviceran në Kosovë.
Sipas Konjufcës, hapja e ambasadës së re dëshmon interesimin e shtuar të Zvicrës për Kosovën dhe konsolidimin e pranisë së saj në vend.
Ai ka vlerësuar se ky zhvillim përbën një tjetër dëshmi të marrëdhënieve të afërta dhe partneritetit ndërmjet dy shteteve.
Konjufca ka shprehur bindjen se miqësia dhe bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës do të vazhdojnë të jenë afatgjata. /Telegrafi/