Tragjedi në Brooklyn! Flakët përfshijnë një ndërtesë banimi, 6 të vdekur dhe disa të plagosur
Gjashtë persona kanë vdekur në një zjarr të madh që shpërtheu në një ndërtesë apartamentesh në Brooklyn, New York , sipas autoriteteve lokale.
Disa të tjerë u plagosën nga zjarri, i cili shpërtheu në orët e para të mëngjesit të së enjtes, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve të Nju Jorkut, FDNY.
Më shumë se 230 zjarrfikës dhe punonjës shpëtimi u dërguan në vendngjarje, pranë lagjes Sunset Park, pasi zjarri u raportua për herë të parë rreth orës 01:40 sipas orës lokale.
Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zoran Mamdani, tha se ishte “i shkatërruar” nga vdekjet dhe u bëri thirrje banorëve të qytetit të “ndajnë një moment për t’u lutur për shërimin e plotë të të plagosurve”.
Një njësi speciale për materiale të rrezikshme gjithashtu shkoi në vendngjarje, për shkak të pranisë së një baterie litium-jon, megjithëse nuk është sqaruar nëse kjo lidhet me shpërthimin e zjarrit.
Sipas informacioneve fillestare, me të mbërritur, zjarrfikësit zbuluan se flakët kishin përfshirë katin e parë dhe të dytë të ndërtesës.
Katër persona u shpallën të vdekur në vendngjarje, sipas Departamentit të Zjarrfikësve, ndërsa një burrë dhe një grua u dërguan në spital, ku u shpallën të vdekur, tha Departamenti i Policisë së Nju Jorkut.
Gjashtë civilë të tjerë u plagosën, dy prej të cilëve janë shtruar në spital në gjendje kritike, si dhe tre zjarrfikës, sipas FDNY-së.