KOMENT – Vala e tretë e kërcënimeve të rreme për bomba në Evropë, avionët luftarakë shoqërojnë fluturimet
PARIS, 5 nëntor /ATSH-AFP/ – Rreth 20 fluturime në disa vende të Evropës u vunë sot në shënjestër të kërcënimeve të rreme për bomba për të tretën ditë radhazi, duke detyruar autoritetet të aktivizonin masa të shtuara sigurie.
Forcat ajrore të Italisë, Francës dhe Bullgarisë ngritën avionë luftarakë për të shoqëruar disa prej avionëve civilë, ndërsa tre fluturime u detyruan të ndryshonin itinerarin.
Kërcënimet prekën veçanërisht kompanitë ajrore me kosto të ulët dhe linjat drejt ose nga Bullgaria, Çekia dhe Italia.
Të gjitha fluturimet e kontrolluara u ulën të sigurta dhe në asnjë prej tyre nuk u gjetën lëndë shpërthyese.
Të paktën pesë avionë morën shoqërim nga forcat ajrore pas marrjes së kërcënimeve.
Bullgaria angazhoi avionët e saj luftarakë për të shoqëruar tre fluturime të “Ryanair” drejt Sofjes, të nisura nga Madridi, Kopenhaga dhe aeroporti “Stansted” i Londrës.
Një avion i kompanisë “Aer Lingus”, që udhëtonte nga Dublini drejt Romës, u shoqërua nga avionë luftarakë francezë dhe u devijua drejt bazës ushtarake të “Évreux”, rreth 100 kilometra në perëndim të Parisit.
Ndërkohë, një tjetër fluturim i “Ryanair” nga Londra drejt Sofjes u ul në aeroportin e Plovdivit, ndërsa një avion i “Wizz Air” nga Milano drejt Varshavës u ridrejtua drejt Vjenës.
Autoritetet po hetojnë origjinën dhe motivet e kërcënimeve. Gazeta italiane “Corriere della Sera” publikoi përmbajtjen e një mesazhi të dërguar kompanisë ADR, që administron aeroportet e Romës, ku pretendohej se ishin vendosur bomba në dy fluturime drejt kryeqytetit italian, një nga Helsinki dhe një nga Dublini.
Mesazhi përmbante gjuhë kërcënuese dhe referenca mizogjene, duke përmendur edhe lëvizjen e ekstremit të djathtë në Rusi, të njohur si “Male State”.
Edhe aeroporti i Pragës konfirmoi se kishte marrë mesazhe kërcënuese nga adresa anonime elektronike.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Transportin, Apostolos Tzitzikostas, deklaroi se ishte ende herët për të përcaktuar nëse incidentet kishin lidhje me njëri-tjetrin.
Ndërkohë, autoritetet evropiane kanë paralajmëruar për shtimin e sulmeve hibride, disa prej të cilave dyshohet se mund të kenë lidhje me Rusinë ose Iranin.
Policia çeke deklaroi se vlerësonte si të ulët besueshmërinë e kërcënimeve, por theksoi se nuk po e nënvlerësonte situatën dhe se të gjitha masat e nevojshme të sigurisë ishin aktivizuar.
Në Danimarkë, policia siguroi se dy avionë të kërcënuar ishin ulur pa probleme dhe se pasagjerët nuk kishin qenë në rrezik.
Incidentet kanë shkaktuar shqetësim te udhëtarët, veçanërisht në aeroportin “Fiumicino” të Romës, ku disa pasagjerë shprehën frikë për sigurinë e fluturimeve në Evropë.
”Megjithatë, avionët e prekur përbënin një pjesë shumë të vogël të trafikut ajror kontinental, ku të enjten ishin planifikuar 25 072 fluturime”, sipas Eurocontrol.
Kjo është vala e tretë e kërcënimeve brenda pak ditësh: të martën u shënjestruan 10 fluturime, ndërsa të hënën një avion i “Wizz Air” nga Londra drejt Sofjes u devijua dhe bëri një ndalesë emergjente në Budapest.
Të gjitha alarmet e regjistruara deri tani kanë rezultuar të rreme, ndërsa hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë./ /Ad.Ab./ a.jor.