E enjte, 5 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Palmer: Zhvillimet politike në Serbi ndikojnë në gjithë Ballkanin, normalizimi me Kosovën mbetet i rëndësishëm për integrimin evropian

Palmer: Zhvillimet politike në Serbi ndikojnë në gjithë Ballkanin, normalizimi me Kosovën mbetet i rëndësishëm për integrimin evropian

Ish-i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka vlerësuar se zhvillimet politike në Serbi mund të kenë ndikim të rëndësishëm në të ardhmen e rajonit, përfshirë edhe pozitën e liderit të Republika Srpskas, Milorad Dodik.

Në një intervistë për televizionin N1, ku ka diskutuar për ndikimin e zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA në politikën e jashtme amerikane, Palmer ka theksuar se ndryshimet politike në rajon, veçanërisht në Serbi, mund të krijojnë mundësi të reja për proceset e integrimit evropian dhe euroatlantik.

Duke folur për situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ndikimin e mundshëm në pozitën e Dodikut, Palmer ka thënë se zhvillimet në Serbi mund të jenë më përcaktuese sesa rezultatet e zgjedhjeve amerikane.

“Pres që zgjedhjet në Serbi do të kenë një ndikim më të madh në pozicionin dhe forcën e Dodikut, jo vetëm në rajon, por edhe në Uashington. Shenjat e asaj që mund të ndodhë në Bosnjë dhe Hercegovinë duhen kërkuar në rajon”, ka deklaruar Palmer.

Ish-diplomati amerikan ka folur edhe për rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se normalizimi i tyre mbetet një çështje e rëndësishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ai ka vlerësuar se një shumicë e mundshme e demokratëve në Kongresin amerikan mund të sjellë mbështetje më të fuqishme për vendet e rajonit në rrugën drejt integrimit evropian.

Në këtë kontekst, Palmer ka përmendur veçanërisht Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e avancimit të integrimit të tyre evropian. Ai ka veçuar edhe kongresistët amerikanë Gregory Meeks dhe Chris Coons, të cilët i ka cilësuar si mbështetës të Ballkanit Perëndimor.

Duke komentuar zhvillimet politike në SHBA, Palmer ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit do të kenë ndikim në marrëdhëniet ndërmjet presidentit dhe Kongresit, si dhe në drejtimin e politikës së jashtme amerikane.

Sa i përket rezultateve zgjedhore, ai ka vlerësuar se demokratët kanë shënuar rezultat të mirë, por ka theksuar se vendimi përfundimtar u takon votuesve.

Palmer, i cili ka më shumë se tri dekada përvojë në diplomacinë amerikane, ka shërbyer si zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Në vitin 2019 ishte emëruar i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ndërsa gjatë karrierës së tij është angazhuar në çështjet që lidhen me Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën./Telegrafi.

Lini një koment