“Po e ndihmojnë protestën me asistencë ligjore”, Këlliçi: Kemi bërë çfarë na është dhënë mundësia
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka deklaruar se PD-ja ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për protestën e studentëve, përmes pranisë së përfaqësuesve të saj, asistencës ligjore për protestuesit dhe denoncimit të rasteve të dhunës policore.
Këlliçi tha se 570 të rinj janë mbrojtur juridikisht nga ekipi i juristëve të Partisë Demokratike dhe janë liruar nga qelitë falë asistencës ligjore të ofruar prej tyre.
Duke folur në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2NN, Këlliçi tha: “Po përpiqemi në çdo formë për të qenë në mbështetje të kësaj proteste, duke çuar zyrtarët tanë në atë protestë, duke kërkuar në çdo seancë parlamentare të vihet në rend dite, temat dhe kërkesat e protestës së studentëve, e kemi bërë edhe për protestëne 136 ditëve. Janë 570 të rinj të mbrojtur juridikisht nga PD, nga ekipi i juristëve dhe të liruar nga qelitë, për shkak edhe të asistencës ligjore që u ka dhënë ekipi juridik i PD-së. E kemi bërë edhe duke denoncuar të gjitha rastet e dhunës, duke depozituar 4 kallëzime në SPAK për ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë dhe shefat e komisariateve, për të denoncuar dhunët. Kemi informuar të gjitha kancelaritë europiane për atë dhunë shatzore ndaj qytetarëve dhe të rinjve në shesh”.