E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Rama prezanton platformën “Fol me Kryeministrin”: Një dritare dialogu online me studentët, e hapur 24 orë

Rama prezanton platformën “Fol me Kryeministrin”: Një dritare dialogu online me studentët, e hapur 24 orë

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën online “Fol me Kryeministrin”, e cila synon të shërbejë si një dritare komunikimi dhe dialogu me studentët, në një kohë kur protestat e tyre vijojnë të shoqërohen me tensione dhe përplasje. Përmes faqes folmekm.al, kreu i qeverisë fton studentët dhe të gjithë të interesuarit të komunikojnë drejtpërdrejt, të ndajnë shqetësimet, mendimet dhe opinionet e tyre.

Gjatë prezantimit të platformës, Rama e cilësoi atë si një urë komunikimi të hapur 24 orë, ndërsa bëri të ditur se do të ketë një skuadër të dedikuar për të garantuar qarkullimin e informacionit dhe shkëmbimin e mendimeve.Kryeministri theksoi se platforma do të jetë funksionale gjatë gjithë kohës dhe se komunikimi do të mundësohet përmes një strukture të posaçme, e cila do të ndjekë mesazhet dhe opinionet e dërguara nga qytetarët.

“Fol me Kryeministrin, faqja hyrëse. Faqja është gati. Cilido që është i dëshiruar për të komunikuar, për të hyrë në një dialog në kushtet kur vijmë nga një sfond protestash përshkallëzimesh, dhune, presioni, kërcënimi, përpjekje për të penguar me çdo kusht dialogun, kjo është ura që është ngritur për ju. Një urë funksionale, e hapur 24h, ku patjetër një skuadër e dedikuar do të garantojë gjithë qarkullimin e informacionit dhe të opinioneve që shkëmbehen”, u shpreh ai.

Rama u ndal edhe te situata e krijuar nga protestat e studentëve, duke shprehur bindjen se tensionet dhe përçarjet do të zbuten me kalimin e kohës. Sipas tij, teknologjia ofron një mundësi për të vijuar komunikimin dhe për të krijuar hapësira dialogu edhe në kushtet e mungesës së një komunikimi të drejtpërdrejtë.

“Kështu jemi në kushtet kur në këtë fazë, sepse besoj më herët se vonë do të shkrihen dhe akujt e vendosur artificialisht nga ata të cilët mendojnë se mund t’i imponohen shoqërisë, bashkëjetesës demokratike dhe gjithçkaje atyre që mendojnë ndryshe prej tyre, ndërkohë ne shfrytëzojmë këtë mundësi të artë që na jep teknologjia”, deklaroi kryeministri. Rama u bëri thirrje studentëve dhe të interesuarve që të përdorin platformën për të komunikuar dhe shprehur mendimet e tyre. “Mirë se të vini në dialog”, theksoi ai.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment