SHBA – FBI: Kriminelët kibernetikë po shënjestrojnë sistemet e ftohjes dhe frigoriferët industrialë në mbarë botën
UASHINGTON, 6 nëntor /ATSH-DPA/- Kriminelë kibernetikë nga vende të ndryshme të botës, po shfrytëzojnë dobësitë e sigurisë në sistemet e ftohjes dhe frigoriferët industrialë, paralajmëruan sot agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
“Sulmuesit kibernetikë po synojnë në shkallë globale, sistemet elektronike të kontrollit të temperaturës dhe pajisjet e ftohjes në dyqanet ushqimore dhe magazinat frigoriferike, veçanërisht ato që nuk kanë përditësime sigurie ose janë të lidhura drejtpërdrejt me internetin”, thuhet në një deklaratë të publikuar sot nga Byroja Federale e Hetimit (FBI) dhe agjenci të tjera amerikane.
Sipas deklaratës, nëse sulmet kanë sukses, autorët mund të ndryshojnë temperaturën e pajisjeve, duke shkaktuar pasoja konkrete, si rrezik për zjarr, prishje të produkteve ushqimore dhe dëmtime, që mund të shkurtojnë jetëgjatësinë e sistemeve të ftohjes.
“Po shohim se këto sisteme po bëhen objekt sulmesh, në sektorë të ndryshëm të infrastrukturës kritike në mbarë botën, duke vënë në rrezik produktet dhe pajisjet”, tha Brett Leatherman, drejtor i Operacioneve të Degës së Sigurisë Kibernetike në FBI.
Deklarata u publikua nga Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturën (CISA), FBI-ja, Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), Departamenti i Bujqësisë (USDA) dhe Departamenti i Transportit i SHBA-së.
Që nga mesi i tetorit, disa vende evropiane, janë përballur me sulme kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes, në supermarkete dhe biznese ushqimore. Si pasojë, temperaturat në pajisjet frigoriferike janë rritur, duke bërë që produktet ushqimore të prishen.
Ndër vendet e prekura janë Franca, Belgjika, Suedia, Irlanda, Holanda, Estonia, Finlanda dhe Gjermania.
Në fillim të nëntorit, objektiv i një sulmi ishte edhe qendra franceze e ruajtjes së gjakut. Sipas raportimeve të medieve amerikane, autoritetet po hetojnë edhe disa incidente të ngjashme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përgjigje të këtyre ngjarjeve, Komisioni Evropian ka thirrur një takim urgjent për të diskutuar situatën. Deri më tani, nuk dihet se kush qëndron pas sulmeve. /