MASH: Librat shkollorë duhet të kthehen në fund të vitit mësimor
Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve ligjorë që të kujdesen për ruajtjen e librave shkollorë dhe materialeve të subvencionuara, duke u kujtuar se nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën duhet t’i kthejnë librat në shkollë në fund të vitit mësimor. Siç njofton RTK, librat dorëzohen te kujdestari i klasës.
Sipas njoftimit të MASH-it, detyrimi i kthimit buron nga Udhëzimi Administrativ nr. 13/2016 për pajisjen e nxënësve me tekste shkollore, si dhe nga deklarata që prindërit kanë nënshkruar kur kanë përfituar nga subvencionimi i librave për vitin shkollor 2026/2027.
Nxënësit dhe prindërit janë përgjegjës që librat të ruhen në gjendje të përshtatshme, në mënyrë që ato të mund të përdoren edhe nga gjeneratat e ardhshme të nxënësve, thekson ministria në njoftimin e saj.
Ndërkohë, sipas raportimit të RTK-së, nga java e ardhshme Inspektorati i Arsimit do të nisë vizita në shkolla për të verifikuar nëse nxënësit janë pajisur me librat shkollorë për të cilët janë ndarë mjetet e subvencionimit; gjatë vizitave do të kontrollohet edhe nëse procesi mësimor po zhvillohet rregullisht.