Gjinushi pret homologun e Izraelit, firmoset marrëveshje bashkëpunimi mes dy akademive
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skënder Gjinushi priti në një vizitë zyrtare dyditore delegacionin e kryesuar nga David Harel, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit.
Delegacioni i Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit përbëhej nga kryetari David Harel, drejtoresha e përgjithshme (CEO) e Akademisë Esther Sivan, si dhe drejtoresha e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Liat Mandelbaum Shor. Vizita filloi me takimin e delegacionit me të gjithë anëtarët e kryesisë së ASHSH-së; prof. dr. Ariola Bacu, anëtare e Komisionit të Biologjisë, Bujqësisë, Veterinarisë, dhe prof. dr. Elinda Kajo Meçe, anëtare e Komisionit të Matematikës, Informatikës pranë ASH-së.
Kryetari i ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi i uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë për vizitën e homologut izraelit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ai vlerësoi angazhimin e tij për realizimin e kësaj vizite, pavarësisht nga agjenda e ngarkuar.
Akad. Gjinushi theksoi se vizita e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit, së bashku me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, do të kontribuojë në forcimin e komunikimit dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive. Ai e njohu delegacionin me historikun, strukturën dhe veçoritë e funksionimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në fjalën e tij ai bëri një pasqyrim të rrugëtimit të institucionit nga themelimi në vitin 1972 deri në ditët e sotme, e njohu delegacionin me përbërjen e Asamblesë, të seksioneve të ASHSH-së, instituteve pranë saj, qendrave, komisioneve dhe njësive të përhershme dhe të përkohshme.
Reformimi i Akademisë gjatë viteve të fundit ka bërë të mundur që vetëm nëpër komisione të jenë të përfshirë mbi 180 akademikë dhe studiues nga universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Duke folur për veprimtarinë shkencore, akademik Gjinushi evidentoi tri projektet madhore me të cilat është e angazhuar aktualisht Akademia e Shkencave, si “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, “Historia e shqiptarëve” dhe “Enciklopedia shqiptare”, në hartimin e së cilës janë përfshirë mbi 500 studiues. Krahas këtyre projekteve, ai përmendi organizimin e rreth 150 veprimtarive shkencore dhe simpoziumeve në vit, kryesisht në bashkëpunim me institucionet homologe në Kosovë, si dhe kontributin e Akademisë në trajtimin e çështjeve me rëndësi kombëtare. Në këtë drejtim, ai veçoi punën e grupeve të posaçme për Eurokodin, sizmologjinë dhe hartimin e hartave të mikrozonalizimit sizmik pas tërmeteve.
Nga ana e tij, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit, akad. David Harel, shprehu falënderimet e tij për mikpritjen nga akad. Gjinushi dhe njohu të pranishmit me veprimtarinë e institucionit që ai drejton. Ai bëri të ditur se Akademia ishte themeluar në vitin 1960 dhe funksionon në bazë të ligjit të miratuar në vitin 1961, i ndryshuar në vitin 2010. Ndër detyrat e saj kryesore ai veçoi përzgjedhjen e shkencëtarëve më të shquar, zhvillimin e marrëdhënieve me institucionet homologe ndërkombëtare dhe këshillimin e qeverisë për çështje që lidhen me shkencën, përfshirë shkencat humane dhe shoqërore.
Më tej, akad. Harel u ndal te modeli i funksionimit dhe pavarësia institucionale e Akademisë që ai drejton, duke theksuar se ajo nuk varet nga asnjë strukturë shtetërore. Ruajtja e pavarësisë së institucionit i shërben edhe rolit themelor që Akademia luan në këshillimin dhe kritikën në çështjet që lidhen me zhvillimin e shkencës dhe të arsimit në vendin e tij. Kontributi themelor i Akademisë është dhënia e ekspertizës dhe e këshillimit të pavarur.
Akademia ka më shumë rol honorifik dhe kërkimi shkencor realizohet si pasojë e bashkëpunimit mes anëtarëve të saj në bashkëpunim me institucionet e tjera kërkimore në vend dhe universitetet, të cilat kanë infrastrukturën dhe kapitalin human për realizimin e kërkimeve shkencore.
Në takim u theksua rëndësia që ka pavarësia e akademive nga politika dhe ekzekutivi.
Agjenda vijoi me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet dy akademive, e cila përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Delegacioni më pas zhvilloi një takim njohës me kryetarët e seksioneve, drejtuesit e instituteve dhe qendrave të përhershme të kërkim-studimit, kryetarët e komisioneve të përhershme, si dhe drejtuesit e njësive të përkohshme pranë Akademisë së Shkencave.
Në përfundim të takimeve zyrtare delegacioni i Akademisë së Shkencave dhe Humaniteteve të Izraelit vizitoi Muzeun Arkeologjik të Akademisë së Shkencave.
Vizita zyrtare u përmbyll me takimin e delegacionit me drejtues të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.