E premte, 6 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›“U kthye i shpërfytyruar nga ariu dhe qëlloi veten me armë”, gazetari: Djali dhe bashkëshortja e viktimës mbrojnë njëri-tjetrin

“U kthye i shpërfytyruar nga ariu dhe qëlloi veten me armë”, gazetari: Djali dhe bashkëshortja e viktimës mbrojnë njëri-tjetrin

I ftuar në “Review” me Greta Topjanën, gazetari i kronikës Ervin Leka foli për hetimet mbi vdekjen e 62-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Godvi të Bulqizës. Fillimisht, familjarët kishin raportuar se ai ishte sulmuar nga një ari në mal dhe kishte humbur jetën, por gjatë hetimeve policia zbuloi plagë të shumta në trupin e tij, mes të cilave edhe një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit.

Leka tha se ekspertiza dhe këqyrja e vendit të ngjarjes kanë ngritur dyshime se 62-vjeçari nuk është vrarë nga sulmi i një ariu, por është goditur me një mjet prerës dhe më pas është qëlluar me armë zjarri. Ai u ndal edhe te kontradiktat në dëshmitë e familjarëve dhe pretendimi i tyre se viktima kishte qëlluar veten me pistoletë.

“Rreth tri ditë më parë, Urim Fiku u raportua se ishte sulmuar nga një ari në mal, por në fakt që këtu kanë nisur kontradiktat, si në deklarimet e familjarëve, ashtu edhe nga ekspertiza e bërë nga policia e Dibrës. Personi ka qenë në oborrin e banesës kur familjarët kanë njoftuar ambulancën, duke thënë se ishte sulmuar nga ariu. Por, pas ekspertizës dhe këqyrjes së trupit, janë gjetur plagë të shumta, të cilat kanë ngritur dyshime se nuk kemi të bëjmë me sulm ariu. Plagët dukeshin sikur ishin shkaktuar nga një mjet prerës, një sëpatë, e cila është gjetur disa metra larg trupit, në një cep të banesës ku jetonte familja Fiku. Ajo kishte njolla gjaku, por ka dyshime nëse është përdorur në ngjarje. Gjatë këqyrjes së trupit është gjetur edhe një plagë plumbi, çka i ka thelluar më tej hetimet dhe dyshimet se kemi të bëjmë me vrasje dhe jo me atë që u raportua fillimisht nga familjarët. Edhe kur është dërguar në spital, familjarët kanë bërë disa veprime, duke tentuar të pastrojnë fytyrën apo rrobat që viktima kishte veshur. Sot kemi edhe një deklaratë të fortë nga djali dhe bashkëshortja e viktimës. Ata kanë thënë se, pasi ishte sulmuar nga ariu, ai kishte marrë pistoletën dhe kishte qëlluar veten. Por kjo duket kontradiktore, pasi grupi hetimor dyshon se ai është goditur nga pas me armë zjarri dhe plumbi ka dalë në pjesën e gjoksit. Ndërsa familjarët pretendojnë se ai ka qëlluar veten, pasi nuk po përballonte sulmin e ariut. Gjykata i ka lënë në arrest me burg djalin dhe bashkëshorten e viktimës, me akuzën e vrasjes në rrethana familjare, në bashkëpunim. Asnjëri nuk e pranon krimin dhe të dy përpiqen të mbrojnë njëri-tjetrin. Djali kërkon lirimin e nënës, duke thënë se ajo nuk ka faj, ndërsa bashkëshortja kërkon lirimin e djalit. Arma është fshehur në një banesë tjetër pranë vendit të ngjarjes. Ka shumë kontradikta që ende nuk kanë marrë shpjegim dhe që kanë bërë që gjykata, me kërkesë të prokurorisë, t’i lërë në arrest me burg. Një tjetër element që ngre dyshime është deklarimi i djalit se ka qenë në punë kur ka ndodhur ngjarja, por nuk ka dëshmi të tjera që ta konfirmojnë këtë”, tha Leka.

Për ngjarjen, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për bashkëshorten dhe djalin e viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, të dyshuar për vrasje në rrethana familjare, në bashkëpunim.

Lini një koment