Përcaktohen ndërhyrjet e nevojshme për restaurimin e Teqesë së Melanit
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi sot se, Teqeja e Melanit në Gjirokastër do të restaurohet.
Në pamjet e publikuara në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja ndan angazhimin e punës në terren të grupeve të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, duke vlerësuar gjendjen e Teqesë së Melanit, të ngritur mbi rrënojat e kalasë së lashtë.
Sipas Gonxhes, inspektimi synon përcaktimin e ndërhyrjeve të nevojshme, si hap drejt hartimit të një projekti restaurimi për ruajtjen e vlerave historike, arkitekturore dhe fetare të monumentit.
Teqeja e Melanit në Libohovë, monument kulture e kategorisë së I, është e përbërë nga një kompleks objektesh të ndërtuara mbi akropolin e qytetit të vjetër.
E vendosur në një pozicion të veçantë historik dhe gjeografik, Teqeja e Melanit shërben si qendër fetare dhe pelegrinazhi për besimtarët myslimanë bektashi si dhe për vizitorë vendas e të huaj.