E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›IRLANDË – Martin: Samitet në Dublin nuk rrezikohet nga kërcënimet për bomba

IRLANDË – Martin: Samitet në Dublin nuk rrezikohet nga kërcënimet për bomba

DUBLIN, 7 nëntor /ATSH-DPA/ – Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, deklaroi se nuk beson që dy samitet evropiane të planifikuara për javën e ardhshme në Dublin të jenë në rrezik për shkak të valës së fundit të kërcënimeve për bomba, drejtuar kompanive ajrore dhe organizatave mediatike irlandeze.

Martin se është ende herët të përcaktohet nëse Rusia qëndron pas kërcënimeve të rreme ndaj medieve irlandeze.

Megjithatë, sipas agjencisë britanike PA, ai theksoi se ekziston një perceptim i përgjithshëm se shtimi i sulmeve hibride lidhet me Rusinë.

Gjatë javës së fundit, dhjetëra fluturime në disa vende të Evropës u prekën nga kërcënime misterioze për bomba, duke detyruar edhe devijimin e disa avionëve.

Megjithatë, pas kontrolleve nga specialistët, në asnjë rast nuk u gjetën mjete shpërthyese.

Kërcënime të ngjashme përmes postës elektronike morën edhe disa organizata mediatike në Irlandë.

Transmetuesi publik irlandez RTÉ pezulloi përkohësisht dje transmetimet, pasi studiot televizive dhe ato radiofonike u evakuuan për arsye sigurie.

Të enjten e ardhshme, rreth 50 liderë evropianë pritet të marrin pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Dublin.

Ky forum përfshin jo vetëm vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe Britaninë e Madhe, Turqinë, Ukrainën, Moldavinë, si dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Kaukazit.

Nisma u krijua disa vite më parë nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Një ditë më pas, në kryeqytetin irlandez do të zhvillohet edhe një samit joformal i liderëve të BE-së. Martin e cilësoi organizimin e tij si operacionin më të madh të sigurisë në historinë e vendit. /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment