Aktivistja Kokaj: Studentët nuk kanë lider, nga partitë politike pranojmë vetëm mbështetje
E ftuar në “Review” me Greta Topjanën, aktivistja Luçiana Kokaj u shpreh se forcat politike duhet të mbështesin protestën, por pa tentuar të marrin drejtimin e saj.
Ajo theksoi se studentët nuk kanë një lider dhe se askush nuk ka autoritetin të vendosë se kush mund të qëndrojë apo jo në shesh.
“Incidentet nuk janë në të mirë të protestës. Ka edhe keqkuptime që ndodhin. Nëse PD-ja vjen në mbështetje të studentëve, nuk besoj se do të ketë problem nga studentët për këtë mbështetje. Por, nëse elementë të PD-së pretendojnë se protesta bëhet nga PD-ja, kjo do të jetë një keqkuptim dhe normalisht nuk është e drejtë dhe e ndershme. Të gjitha forcat politike duhet të përfaqësojnë qytetarët që i kanë votuar dhe duhet të mbështesin protestën, por pa tentuar të bëhen liderë të saj, sepse aty ne nuk kemi asnjë lider dhe askush nuk ka të drejtën dhe autoritetin për të bërë thirrje apo për të treguar kush mund të rrijë dhe kush jo në shesh. Studentët janë të pjekur dhe të matur. Ka pasur edhe situata ku ka pasur tensione, por ne nuk e bëjmë protestën për të promovuar partitë politike apo për t’u dhënë kredite personave të veçantë”, tha ajo.