E shtunë, 7 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Nënkryetari i PD-së: Mbështetja e protestës së studentëve nga Partia Demokratike është detyrë patriotike

Nënkryetari i PD-së: Mbështetja e protestës së studentëve nga Partia Demokratike është detyrë patriotike

Nënkryetari i PD-së, Nikola Kedhi, i ftuar në emisionin Review në Euronews, deklaroi se mbështetja ndaj protestës së studentëve është një detyrë jo vetëm politike, por edhe patriotike e qytetare përballë autokracisë në vend.

Ai mohoi të ketë përplasje me studentët, duke nëvizuar se PD-ja i ka ndihmuar ata me asistencë ligjore dhe mbrojtje gjatë përballjeve me dhunën policore, pasi të gjithë i bashkon i njëjti qëllim për ndryshimin e sistemit.

Më tej, Kedhi theksoi se nga përçarja e lëvizjes protestuese përfiton vetëm kryeministri dhe regjimi i tij. Ai bëri me dije se Partia Demokratike është e angazhuar për të ofruar programin dhe ekipin më të mirë për të bindur qytetarët, por nënvizoi se kjo mund të arrihet vetëm përmes garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Është detyrë jo vetëm jona si demokratë, por është detyrë e jona si qytetarë dhe si patriotë të këtij vendi, të kësaj republike, për t’i mbështetur studentët, për të mos t’i lënë ata vetëm dhe për të dalë të gjithë së bashku përballë kësaj autokracie.

Me studentët ne nuk kemi pasur asnjë përplasje, se nuk ka se si të kemi përplasje kur qëllimi është i njëjtë: është largimi i këtij autokrati që është në pushtet dhe ndryshimi i këtij sistemi që ai autokrat ka ngritur për 14 vite.

E rëndësishme është që të shikojmë se çfarë gjërash na bashkojnë, dhe sot ajo që na bashkon është më madhorja nga të gjitha: është Shqipëria, është gjendja në të cilën ndodhet Shqipëria sot, emergjenca kombëtare në të cilën Shqipëria e gjen veten sot, dhe është e ardhmja e Shqipërisë që sot është më e pasigurt se kurrë.

Ka pasur studentë të cilët kanë thënë që “ne e falënderojmë Partinë Demokratike për mbështetjen që na ka dhënë, për mbështetjen dhe ndihmën që na ka dhënë kur janë gjendur të sulmuar nga gazi, nga dhuna policore, nga shkopinjtë e gomës, nga plumbat e gomës”.

Kush përfiton nga përçarja e protestës? Kush përfiton nga marrja e vëmendjes ose e projektorëve nga kryeministri tek grupimet e tjera që protestojnë?

Vetëm një përfiton nga përçarja, që është kryeministri. Dhe në qoftë se mendojnë që ne nuk duhemi votuar, kush mendon kështu, mos të na votojë! Unë personalisht po, të gjithë në Partinë Demokratike do bëjmë çmos që të kemi alternativën më të mirë, ekipin më të mirë, programin më të mirë që t’i bindim qytetarët shqiptarë, por në kushtet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Kedhi.

Lini një koment