AKK kundërshton ndarjen buxhetore për vitin 2027: Pjesëmarrja e komunave bie në 21.3 për qind
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka shprehur shqetësimin lidhur me ndarjen e 908 milionë eurove për komunat në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2027, duke theksuar se, pavarësisht rritjes së shumës nominale, pjesëmarrja e pushtetit lokal në buxhetin e përgjithshëm të shtetit ka shënuar rënie.
Në një deklaratë për KosovaPress, Ibrahimi ka bërë të ditur se pjesëmarrja e komunave në buxhetin e përgjithshëm ka rënë nga 21.7 për qind në vitin 2026, në 21.3 për qind sipas planifikimit për vitin 2027.
Ai ka vlerësuar se buxheti nuk duhet të analizohet vetëm përmes shumës së përgjithshme, por edhe përmes fuqisë reale financiare që u mbetet komunave për realizimin e projekteve, veçanërisht atyre kapitale.
Sipas tij, inflacioni, rritja e koeficientit të pagave dhe detyrimet financiare që rrjedhin nga vendimet gjyqësore po ndikojnë në buxhetet komunale.
Ibrahimi ka bërë të ditur se vetëm gjatë këtij viti komunave u janë marrë rreth 100 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore, kryesisht për çështje që lidhen me kontratat kolektive. Ai ka kërkuar që këto mjete të kompensohen nga niveli qendror dhe jo të mbulohen nga buxhetet komunale.
Një tjetër shqetësim i tij lidhet me mungesën e investimeve kapitale dhe pamundësinë e disa komunave për të përfituar fonde shtesë përmes grantit të performancës, si pasojë e barrës financiare nga kontratat kolektive.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i AKK-së ka bërë të ditur se asociacioni i ka dërguar kërkesë kryeministrit Albin Kurti për një takim me bordin e tij, me qëllim diskutimin e këtyre çështjeve. Sipas Ibrahimit, takimi i fundit me kryeministrin është mbajtur në tetor të vitit 2024, ndërsa për kërkesën e fundit ende nuk kanë marrë përgjigje.
Ibrahimi ka ngritur gjithashtu çështjen e moskompensimit të dëmeve nga vërshimet në disa komuna që nga viti 2022, si dhe humbjen e fondeve nga Bashkimi Evropian.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 2 nëntor ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, prej të cilave 908 milionë euro janë planifikuar për komunat. Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar atë si buxhet rekord për pushtetin lokal. /Kp/