E diel, 8 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Ekstradohet nga Spanja 41-vjeçari Arnold Jaho, i dënuar me 7 vite burg dhe i akuzuar për disa vepra penale

Ekstradohet nga Spanja 41-vjeçari Arnold Jaho, i dënuar me 7 vite burg dhe i akuzuar për disa vepra penale

Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, duke ekstraduar nga Barcelona e Spanjës 41-vjeçarin Arnold Jaho, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes specialistëve të Drejtorisë së Interpolit në Shqipëri dhe homologëve të tyre në Madrid.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Jahon në vitin 2026 me 6 vite burg për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjithashtu, në vitin 2024, ai është dënuar me një vit burg për veprën penale “Mashtrimi”.

Ndërkohë, në vitin 2025, Prokuroria e Tiranës ka lëshuar ndaj tij urdhër ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se operacioni “The Wanted” vijon në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për lokalizimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim.

Lini një koment