Zgjedhjet vendore 2027, Agron Duka: Jam gati që të kandidoj për Bashkinë Durrës nëse opozita nuk del me një alternativë
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka, ka deklaruar në Albania Newscast me gazetar Arbër Hitaj se është i gatshëm të rikthehet në garë elektorale dhe të kandidojë për Bashkinë e Durrësit në zgjedhjet vendore, duke theksuar se këtë hap e sheh si një detyrim dhe sakrificë nëse opozita dështon të gjejë një kandidaturë fituese.
Në një intervistë për Albania Newscast, Duka u shpreh se përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet mbi bazën e sondazheve dhe jo të raporteve të ngushta partiake, duke theksuar se në qytete të rëndësishme si Durrësi opozita nuk mund të lejojë eksperimente:
“Nëse opozita s’nxjerr një kandidaturë për të kënaqur një pjesë të opozitës edhe nuk shpresojmë për fitore, atëherë do të mendojmë që dalim edhe vetë. Gjithmonë ideja ime ka qenë me sondazhe, sidomos bashkitë e mëdha… Durrësi do e shoh; nëse s’del kandidaturë, kot të them atë që kam thënë gjithmonë, që edhe unë jam një nga njerëzit që mund të pretendoj për të kandiduar”, tha Duka.
Gjatë bisedës, ai shtoi se kandidimi i tij nuk do të ishte thjesht një rikthim personal, por një vendim i matur për të garantuar një përfaqësim serioz dhe konkurrues përballë mazhorancës në një prej bashkive kyçe të vendit.