Gogu nga Mali i Zi: Forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit, në fokus të integrimit në BE
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, ka përmbledhur vizitën e tij dyditore në Mal të Zi, duke vënë theksin te dialogu intensiv dhe angazhimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë punimeve të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, ministri Gogu zhvilloi një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe homologë të rajonit.
Në kuadër të këtij aktiviteti, ai u takua me Komisionerin Evropian për Demokracinë, Drejtësinë, Shtetin e së Drejtës dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Michael McGrath, si dhe me Ministrin e Drejtësisë, Punëve të Brendshme dhe Migracionit të Irlandës, Jim O’Callaghan.
Po ashtu, agjenda përfshinte bisedime me zyrtarët e lartë të vendit pritës, mes të cilëve Ministrin e Drejtësisë të Malit të Zi, Bojan Božović, Ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Fatmir Gjeka, Ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, si dhe ish-Kryeministrin malazez, Dritan Abazović.
Lidhur me përmbajtjen dhe prioritetet e këtyre diskutimeve, ministri Gogu theksoi se fushave kryesore ku bazohet bashkëpunimi u përkasin reformat strukturore dhe mbrojtja e së drejtës. Ai nënvizoi se “nga lufta kundër korrupsionit dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë, te mbrojtja e të drejtave themelore, aksesi në drejtësi dhe bashkëpunimi rajonal, këto takime na bashkojnë rreth përgjegjësisë për t’i kthyer reformat në rezultate konkrete për qytetarët”.
Në përmbyllje të mesazhit të tij, kreu i drejtësisë nënvizoi se përmbushja e standardeve perëndimore kërkon përkushtim vazhdueshëm, duke u shprehur se “rruga jonë evropiane kërkon punë, besim dhe partneritete të forta”.