Presidentja Shiroka Pula viziton Kombëtaren e Kosovës në kampin e grumbullimit
Kombëtarja e Kosovës ka pasur një mysafire të veçantë në kampin e grumbullimit në hotelin “Emerald”, ku Dardanët po përgatiten për ndeshjet e nëntorit.
Siç njofton Telegrafi, ekipi kombëtar është vizituar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, e cila është pritur ngrohtësisht nga drejtuesit, futbollistët dhe stafi i Kombëtares.
Presidentja është pritur nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përzgjedhësi Franco Foda dhe futbollistët e ekipit.
Me këtë rast, Ademi e ka uruar Shiroka Pulën për marrjen e detyrës së Presidentes së Republikës, duke i dëshiruar suksese në udhëheqjen e vendit dhe në realizimin e projekteve shtetërore.
Nga ana e saj, Presidentja ka shprehur kënaqësinë për vizitën dhe takimin me Dardanët, duke i falënderuar për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ajo i ka vlerësuar futbollistët si ambasadorët më të mirë të vendit, duke theksuar se përmes talentit, përkushtimit dhe rezultateve të tyre kanë arritur ta vendosin emrin e Kosovës aty ku ndonjëherë politika nuk ka mundësi.
Shiroka Pula u ka uruar futbollistëve suksese në dy ndeshjet e ardhshme, fillimisht kundër Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” e më pas ndaj Irlandës në udhëtim, dhe ka përshëndetur në mënyrë të veçantë tre futbollistët e ftuar për herë të parë në Kombëtare.
Në fund të vizitës, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i ka dhuruar Presidentes fanellën zyrtare të Kombëtares së Kosovës, si simbol të përfaqësimit dhe krenarisë shtetërore.