E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Demokracia dhe zhvillimi nuk duhet të sakrifikohen për stabilitetin

Kurti në Forumin e Paqes në Paris: Demokracia dhe zhvillimi nuk duhet të sakrifikohen për stabilitetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku ishte pjesë e panelit “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, së bashku me guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Carlo Monticelli.

Gjatë diskutimit, Kurti foli për rëndësinë e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror në ndërtimin e paqes afatgjatë, duke theksuar se këto nuk duhet të sakrifikohen në emër të stabilitetit.

Sipas tij, qytetarët duhet të jenë përfituesit kryesorë të zhvillimit, ndërsa investimet në infrastrukturë dhe arsim cilësor janë thelbësore për përparimin e shoqërisë.

Duke folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës, Kurti bëri të ditur se rritja e Bruto Produktit Vendor ishte 5.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me ekonominë, duke përmendur si një nga treguesit e zhvillimit shoqëror ngushtimin e diferencës mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Sipas tij, raporti që para kësaj qeverisjeje ishte 20 me 1, aktualisht është 4 me 1.

Një pjesë të fjalës së tij, kryeministri ia kushtoi edhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ai tha se në vend janë rreth 20 mijë gra viktima të dhunës seksuale, e cila, sipas tij, ishte përdorur si armë lufte nga aparati shtetëror i Serbisë.

Kurti theksoi se përveç vënies para drejtësisë të përgjegjësve për këto krime, është jetike edhe trajtimi dhe rehabilitimi i viktimave.

Forumi i Paqes në Paris mbledh përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për të diskutuar sfidat e paqes, rindërtimin e shoqërive pas luftërave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. /Telegrafi/

Lini një koment