E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Sadiku për ndryshimet në Presidencë: Shpresoj që presidentja të reflektojë

Sadiku për ndryshimet në Presidencë: Shpresoj që presidentja të reflektojë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka reaguar pas ndryshimeve të vërejtura në hapësirën e Presidencës, ku nga vendi ku ishte ekspozuar Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është larguar ky dokument, ndërsa fotografia e presidentit historik Ibrahim Rugova është zhvendosur anash.

Sadiku, në një konferencë për media, pasi lëshoi mbledhjen e Komisionit për Ekonomi në shenjë pakënaqësie për largimin nga rendi i ditës të pikës për raportimin e anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, e ka cilësuar të panevojshëm ndryshimin e bërë në hapësirën e Presidencës.

Ai i ka bërë thirrje presidentes Justina Shiroka Pula që të reflektojë dhe të rikthejë gjendjen siç ishte më parë, duke theksuar rëndësinë historike të figurës së Ibrahim Rugovës.

“Një gjest jo i mirë, i panevojshëm, duhet të ketë protokolle tw arta për këtë punë që duhet të zbatohen. Presidenti Rugova nuk është më ish president apo ish kryetar i LDK-së, është figurë historike i patejkalueshëm për secilin person i tashmes apo ardhmes. Po shpresoj që presidentja të reflektojë dhe të ktheje gjendjen si ka qenë, sepse ajo është mbi të dhe mbi secilin, jo vetëm ideja e fotografisë por ideja që përfaqëson presidenti Rugova tek gjeneratat e kaluara dhe që duhet të përfaqësojë tek gjeneratat e ardhshme”, tha ai.

Presidenca e Kosovës ka mohuar pretendimet se fotografia e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë janë larguar nga hapësirat e institucionit.

Në një sqarim për media, Presidenca ka bërë të ditur se të dyja vazhdojnë të jenë në vendet e tyre.

“Asgjë nuk është larguar nga zyra e Presidencës. Të gjitha janë aty”, thuhet në reagim.

Sqarimi vjen pas kritikave të përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kanë kundërshtuar largimin e pretenduar të fotografisë së Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, më herët i kishte bërë thirrje presidentes që ta rishqyrtonte vendimin dhe t’i kthente këto simbole në vendin e tyre.

Ai kishte theksuar rëndësinë historike dhe shtetërore të ish-presidentit Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë.

Megjithatë, Presidenca këmbëngul se asnjëri prej këtyre elementeve nuk është larguar nga institucioni./kp/

Lini një koment