“Dua më shumë Shqipërinë”, ekspozitë me piktura dhe skulptura në Galerinë e Artit “Guri Madhi”
Prej ditës së sotme, artdashësit mund të vizitojnë ekspozitën “Dua më shumë Shqipërinë”, në Galerinë e Artit “Guri Madhi”, të Korçës.
Ekspozita do të ketë një përzgjedhje pikturash dhe skulpturash nga fondi i galerisë, kushtuar historisë, identitetit dhe tematikës kombëtare. Ajo sjell për publikun vepra me vlera artistike dhe historike, disa prej të cilave prezantohen për herë të parë. Përmes krijimeve të artistëve, vizitorët do të kenë mundësinë të njihen me histori, motive dhe momente të ndryshme që pasqyrojnë Shqipërinë dhe identitetin e saj.
E organizuar në prag të festave të Nëntorit, ekspozita synon të sjellë në vëmendje pasurinë e artit shqiptar dhe lidhjen e tij me historinë e kujtesën kombëtare. Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, ftoi qytetarët korçarë që në këtë prag festash, ta vizitojnë këtë ekspozitë dhe të bëhen pjesë e këtij takimi me artin shqiptar.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 10 dhjetor, në mjediset e Galerisë së Artit “Guri Madhi”.