“Arrestimet nuk mjaftojnë”- Ministri Demo në konferencën me GdF: Lufta kundër krimit nuk është garë statistikash, god
“Lufta kundër krimit nuk është garë statistikash, por se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor”.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Ervin Demo, gjatë konferencës së përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, ku u prezantuan rezultatet e monitorimit ajror të territorit shqiptar për vitin 2026.
“Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këto janë tregues të rëndësishëm që na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor”, tha Demo, përcjell A2 CNN.
Ministri kërkoi edhe goditje të financave të grupeve kriminale, duke theksuar se arrestimi i anëtarëve të tyre nuk është i mjaftueshëm për të ndalur aktivitetin e paligjshëm. Sipas Demos, hetimet e përbashkëta me autoritetet italiane, bashkëpunimi me strukturat antimafia dhe sekuestrimi i pasurive kriminale janë thelbësore për të dobësuar organizatat kriminale dhe për të penguar rikthimin e tyre në aktivitet.
“Progres-raporti i fundit i Komisionit Europian evidenton bashkëpunimin. Operacionet e përbashkëta me partnerët janë rritur nga 53 në 108 brenda një viti. Pra më shumë së një dyfishimi dhe Italia është një ndër partnerët kryesorë”, tha ministri.
Ndërsa kryepolici Hita u shpreh se vitin e ardhshëm kjo forcë parandaluese do të rritet. “Për vitin 2027 do të përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse kundër kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimin e rrjeteve që importojnë fara narkotike, si dhe identifikimin dhe ndalimin e organizatorëve, financuesve dhe përfituesve të vërtetë të kësaj veprimtarie kriminale”.
Gjatë këtij viti, Policia ka zbuluar 132 mijë fidanë narkotikë, 17 shtëpi bari dhe 165 autorë janë arrestuar dhe hetuar.