E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Spahiu: PET-scan për herë të parë në sektorin publik, 250 milionë lekë në buxhetin e vitit 2027

Spahiu: PET-scan për herë të parë në sektorin publik, 250 milionë lekë në buxhetin e vitit 2027

Për herë të parë, ekzaminimi me PET-scan do të financohet në sektorin publik. Projekti është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2027, me një fond prej 250 milionë lekësh, ndërsa parashikohet që nga ky shërbim të përfitojnë rreth 2 500 pacientë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, ku prezantoi investimet e planifikuara në sektorin shëndetësor për vitin e ardhshëm.

Sipas ministres, projekti do të realizohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Krahas PET-scan, për vitin 2027 është parashikuar edhe pajisja me aparatura të brakiterapisë, e cila, sipas Spahiut, është gati për procedurat e prokurimit.

“Projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Kemi të parashikuar për 2027-ën edhe pajisjet e brakiterapisë. Është gati për prokurim”, deklaroi ministrja.

Ndërkohë, për Institutin Onkologjik janë parashikuar 2 miliardë lekë, me synimin që aty të marrin shërbim rreth 5 mijë pacientë.

Lini një koment