E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Fredi Beleri: Shqipëria u dënua për çështjen time, GJEDNJ më dha të drejtë për paraburgimin e paligjshëm

Fredi Beleri: Shqipëria u dënua për çështjen time, GJEDNJ më dha të drejtë për paraburgimin e paligjshëm

Eurodeputeti Fredi Beleri ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut e cila, siç thekson ai, ka konstatuar shkelje të të drejtave të tij lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit në Shqipëri.

Beleri e cilëson vendimin si një fitore në betejën e tij gjyqësore duke pretenduar gjithashtu se paraburgimi i mohoi të drejtën për të marrë detyrën.

Reagimi i plotë:

Në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, qytetarët e vendlindjes sime më zgjodhën Kryetar Bashkie. Megjithatë, shteti shqiptar më kishte burgosur që të premten, më 12 maj, dy ditë përpara zgjedhjeve, mbi bazën e akuzave të pabaza.

Sot, e martë, 10 nëntor 2026, tre vjet e gjysmë më vonë, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) pranoi ankesën time dhe dënoi Shqipërinë.

Konkretisht, GJEDNJ konstatoi shkelje të të drejtave të mia lidhur me kohëzgjatjen e paraburgimit tim, duke hedhur poshtë arsyetimin e gjykatave shqiptare dhe duke theksuar se ato nuk kishin shqyrtuar siç duhet nëse paraburgimi kishte tejkaluar një kohëzgjatje të arsyeshme. Njëkohësisht, Gjykata më akordoi dëmshpërblim për dëmin moral dhe shpenzimet gjyqësore.

Ky vendim nxjerr në pah problemet serioze në funksionimin e institucioneve në Shqipëri dhe në respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Paraburgimi im nuk më privoi vetëm nga liria. Ai më mohoi edhe të drejtën për të bërë betimin dhe për të marrë drejtimin e Bashkisë që qytetarët më besuan.

Njëkohësisht, u mohoi qytetarëve të Himarës të drejtën për të pasur kryetarin e bashkisë që ata vetë kishin zgjedhur.

Manipulimet politike dhe manovrat e qëllimshme bënë që z. Goro të qëndronte në detyrën e kryetarit të bashkisë, pavarësisht humbjes së tij në zgjedhje, për t’u pasuar më pas nga emërimi i dy kryetarëve të tjerë të bashkisë nga qeveria.

Pas këtyre arbitrariteteve qëndron një synim më i gjerë: vazhdimi i shkeljes së të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të pakicës të anëtarëve të Minoritetit Etnik Grek në Shqipëri.

Këto praktika përbëjnë një tjetër dëshmi të distancës që e ndan Shqipërinë nga parimet dhe vlerat evropiane.

Falënderoj përzemërsisht avokaten time në Shqipëri, znj. Klodiana Gyzari, si dhe avokatin z. Vangjel Guma, i cili më mbrojti përpara GJEDNJ-së.

Falënderoj gjithashtu, nga thellësia e zemrës, të gjithë ata që më qëndruan pranë që në momentin e parë dhe besuan në drejtësinë e kauzës sonë.

Asnjë manovër gjyqësore dhe asnjë interes politik nuk mund ta anulojnë vullnetin e qytetarëve të Himarës. Qytetarët më zgjodhën kryetarin e tyre të bashkisë. Vota e tyre ka vlerë dhe zëri i tyre duhet të respektohet.

Vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për të drejtën tonë, si në planin politik, ashtu edhe në atë gjyqësor.

Fredi Beleri

Eurodeputet i Demokracisë së Re – Partisë Popullore Evropiane

Lini një koment