E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Lajme nga Shqiperia›Projektbuxheti i vitit 2027 miratohet në parim në Komisionin për Evropën, Dhuka: Integrimi në BE në qendër të planifikimit financiar

Projektbuxheti i vitit 2027 miratohet në parim në Komisionin për Evropën, Dhuka: Integrimi në BE në qendër të planifikimit financiar

Nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi mbledhjen e radhës ku shqyrtoi në parim projektbuxhetin e vitit 2027, me praninë e Ministres së Shtetit dhe Kryenegociatores, Majlinda Dhuka, si dhe të Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Financave.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, Kryenegociatorja Majlinda Dhuka u ndal te planifikimi financiar në funksion të avancimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Dhuka bëri me dije se “gjatë vitit 2027 do të vazhdojë puna intensive për të gjitha angazhimet për të mbyllur negociatat, ndërsa në vitet 2028-2029 vendi do të thellojë përgatitjen për t’u sjellë si një vend anëtar në BE brenda kësaj dekade”.

Ajo nënvizoi rëndësinë e kësaj mbështetjeje financiare për reformat e thella shtetërore, duke vënë në dukje se “edhe pas anëtarësimit, vendi do të kalojë në një transformim të rëndësishëm, të thellë të shtetit, të ekonomisë edhe të shoqërisë dhe ky buxhet e mbështet këtë transformim evropian të Shqipërisë drejt anëtarësimit”.

Sipas Dhukës, alokimet e reja përforcojnë kapacitetet institucionale duke u përqendruar “sidomos tek drejtësia, siguria dhe të drejtat evropiane, të drejtat e njeriut dhe tek kapacitetet e institucioneve tona për të zbatuar standardet dhe vlerat evropiane”.

Nga ana e saj, relatorja e çështjes, deputetja Alma Selami, vlerësoi se alokimet e planifikuara garantojnë burimet e nevojshme financiare për përmbushjen e detyrimeve integruese dhe vijimin e reformave kyçe. Pas diskutimeve të zhvilluara me anëtarët, Komisioni e miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2027.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, Komisioni shqyrtoi draft-shtesat në Pozicionin Negociues të Grupkapitullit II, “Tregu i Brendshëm”. Kjo pikë e rendit të ditës u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të natyrës konfidenciale të dokumentacionit që lidhet me procesin e negociatave të anëtarësimit.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment