Rama: BE është destinacioni ynë i përbashkët, s’ka alternativë tjetër
Kryeministri Edi Rama ka nënvizuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj integrimit në Bashkimin Evropian gjatë fjalës së tij në Musée de l’Homme në Paris, ku u zhvillua “Forumi i Paqes” në kuadër të një bashkëbisedimi të kushtuar zgjerimit të BE-së dhe të ardhmes së brezit të ri.
Duke folur për pozicionin unik të Shqipërisë në rajon, kreu i qeverisë u ndal te trashëgimia historike e vendit, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në frymën e lartë pro-evropiane të shqiptarëve sot.
“Shqiptarët janë shumë të veçantë lidhur me këtë gjë… sepse ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kemi një histori ndryshe. Ne nuk kemi qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, ne nuk ishim pjesë e ish-bllokut lindor si të tjerët. Ne u ndamë me bllokun lindor që në vitet ’60. Pastaj u hodhëm në një marrëdhënie shumë të veçantë e unike me Kinën e Maos dhe kemi qenë gjatë gjithë kohës Koreja e Veriut e Evropës,” u shpreh Rama.
Gjithashtu, kryeministri sqaroi se si dalja nga izolimi i gjatë diktatorial solli një përqafim fanatik të vlerave të Perëndimit nga ana e shoqërisë shqiptare.
“Kur dolëm nga ky ferr, dolëm të transformuar tërësisht në talibanë perëndimorë — në një kuptim, domethënë në fanatikë të Perëndimit, për arsye të mira. Sepse ne kemi normën më të lartë të eurooptimizmit në Evropë dhe mbetemi të tillë,” nënvizoi ai.
Në vijim të fjalës së tij, Rama solli në vëmendje konceptin që shqiptarët kanë për familjen evropiane, duke e cilësuar atë si një projekt vlerash dhe jo thjesht përfitimesh ekonomike.
“Për shqiptarët dhe për ne në Shqipëri, Bashkimi Evropian është çka ishte për etërit themelues: jo një bankomat, por një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunimi,” deklaroi ai.
Kreu i ekzekutivit garantoi se fryma evropiane mbetet e pacenueshme dhe e përbashkët për të gjithë faktorët në Shqipëri.
“Pavarësisht konflikteve të brendshme apo polarizimit apo pikëpamjeve politike apo protestave, të gjithë, absolutisht të gjithë bien dakord që Europa është objektivi e destinacioni ynë i përbashkët. Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër e as nuk e kërkojmë një të tillë,” tha ai.
Në përmbyllje të këtij mesazhi në “Forumin e Paqes”, Rama rikonfirmoi se Shqipëria nuk luhatet nga orientimi i saj gjeopolitik.
“Ne nuk ndikohemi nga të tjerë përveçse nga projekti evropian. Kështu që jemi mirëfilli evropianët më të mirë që mund të gjeni sot në Evropë,” përfundoi kryeministri Edi Rama.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.