Ministri Gogu vizitë në Romë, në fokus forcimi i bashkëpunimit në drejtësi dhe integrimi në BE: Italia, partner i rënd�
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, nisi sot në Romë një vizitë pune dyditore.
Ai u takua me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes të Senatit, Maurizio Gasparri, me Presidentin e Shtuar të Gjykatës së Kasacionit, Stefano Mogini, dhe me Kryetarin e Komisionit të Drejtësisë të Dhomës së Deputetëve, Ciro Maschio.
Në qendër të takimeve ishin mbështetja italiane për integrimin europian të Shqipërisë, përvoja italiane në rikthimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në shërbim të komuniteteve, bashkëpunimi ndërmjet Gjykatës së Lartë dhe Kasacionit italian, si dhe ndikimi i reformave italiane në kohëzgjatjen e proceseve dhe në aksesin e qytetarëve në drejtësi.
“Shqipëria ka ndërtuar institucione të reja drejtësie. Tani provohet aftësia e tyre për të bashkëpunuar dhe për të dhënë rezultate sipas standardeve europiane. Italia është partner i rëndësishëm në këtë rrugë”, tha Ministri Gogu.
Vizita vijon nesër me takimin me Ministrin e Drejtësisë të Italisë, Carlo Nordio, dhe me Presidentin e Shkollës së Magjistraturës, Mauro Paladini.