E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – Emergjenca 72-orëshe, planet e qeverive për t’u përballur me sulmet kibernetike

FOKUS – Emergjenca 72-orëshe, planet e qeverive për t’u përballur me sulmet kibernetike

– Banka të bllokuara, spitale në vështirësi dhe rrjete elektrike jashtë funksionit. Këto janë disa nga skenarët që qeveri të ndryshme, në Evropë dhe më gjerë, kanë përfshirë në planet e tyre të emergjencës, duke u kërkuar qytetarëve të përgatiten për të përballuar 72 orët e para të një krize, përfshirë edhe ato të shkaktuara nga sulmet kibernetike, sipas “TecnoAndroid”.

Udhëzimet e publikuara nga disa shtete, nga fushata britanike “Be Ready” dhe ajo franceze “Tous responsables”, deri te nisma e fundit e Bashkimit Evropian, përqendrohen në disa masa kryesore: organizimin e familjes, krijimin e rezervave me ujë dhe ushqime, si dhe njohjen e mënyrave për të marrë informacion në rast se shërbimet jetike ndërpriten.

Periudha prej 72 orësh nuk bazohet në një llogaritje të saktë shkencore, por lidhet me kohën gjatë, së cilës ekipet e shpëtimit duhet t’u japin përparësi personave që ndodhen në vështirësitë më të mëdha.

Përveç rreziqeve tradicionale, si përmbytjet, tërmetet, aksidentet industriale dhe luftërat, në vitin 2026 vëmendja është përqendruar edhe te sulmet kibernetike, sabotimet dhe përhapja e panikut përmes dezinformimit, në kuadër të asaj që njihet si “lufta hibride”.

Në këtë kontekst përmenden edhe rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale.

Roli i inteligjencës artificiale dhe precedenti i vitit 2003

Inteligjenca artificiale shihet si një faktor që mund të shtojë kërcënimet digjitale.

Sipas Alessio Pennasilico, ekspert i sigurisë kibernetike dhe anëtar i komitetit shkencor të “Clusit” (Shoqata Italiane për Sigurinë e Informacionit), kriminelët po e përdorin tashmë këtë teknologji, për të identifikuar dobësi të reja në sistemet informatike.

Megjithatë, Pennasilico i konsideron të tepruara disa skenarë, si mundësia që një qytet i madh të mbetet pa energji elektrike për disa ditë rresht.

Rreziku më konkret, sipas tij, lidhet me një incident lokal, informatik ose fizik, që mund të shkaktojë një zinxhir pasojash më të gjera.

Si shembull përmendet ndërprerja e madhe e energjisë elektrike në Itali në vitin 2003, e cila paralizoi vendin dhe u shkaktua fillimisht, nga rrëzimi i një peme në kantonin Schwyz të Zvicrës.

Planet evropiane: Rezerva, para të gatshme dhe radio

Qeveria britanike ka hartuar fushatën “Be Ready”, të nisur më 22 tetor, duke u përqendruar te përgatitja për të përballuar tri ditë pa energji elektrike, ujë apo linja telefonike.

Lista e rekomandimeve të Zyrës së Kabinetit përfshin nëntë litra ujë për person, ushqime që nuk kërkojnë gatim, elektrik dore, radio me bateri, ilaçe dhe një bateri të jashtme për karikimin e telefonit, e cila mund të përdoret edhe për pajisje mjekësore të përshtatshme.

Qytetarëve u këshillohet gjithashtu të mbajnë para të gatshme, në rast se pagesat elektronike dhe bankomatët nuk funksionojnë.

Franca, përmes udhëzuesit të publikuar në nëntor 2025 dhe të rikthyer në vëmendje gjatë vitit 2026, rekomandon një paketë emergjence që përfshin radio me bateri, gjashtë litra ujë për person, ilaçe, kopje të recetave mjekësore, para të gatshme dhe çelësa rezervë të banesës.

Suedia ka vendosur një objektiv edhe më të lartë.

Manuali “Në rast krize ose lufte”, i shpërndarë në nëntor 2024 në më shumë se pesë milionë familje, u kërkon qytetarëve të jenë në gjendje të përballojnë të paktën një javë pa ndihmën e institucioneve publike.

Banka qendrore rekomandon që çdo i rritur të mbajë 1 000 korona suedeze në para të gatshme, rreth 91 euro.

Në Holandë, fushata “Denk vooruit” ka arritur më shumë se 8,5 milionë familje gjatë periudhës nga nëntori 2025 deri në janar 2026.

Rekomandimi është që çdo i rritur të mbajë 70 euro dhe çdo fëmijë 30 euro, mundësisht në kartëmonedha me prerje të vogla dhe monedha.

Gjermania, SHBA-ja, Japonia dhe Tajvani

Udhëzuesi gjerman është ndër më të qartët në përshkrimin e pasojave, që mund të sjellë një sulm ndaj infrastrukturës kritike.

Pa energji elektrike ndalojnë së funksionuari bankomatët, ndërsa ndërprerja e sistemeve informatike vështirëson ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe furnizimeve.

Për këtë arsye, Agjencia Federale për Mbrojtjen Civile (BBK) rekomandon krijimin e rezervave për dhjetë ditë, duke përcaktuar tri ditët e para si pikënisje.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përgatitjet lidhen edhe me sigurinë e bazave ushtarake.

Më 30 shtator 2026, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, prezantoi programin “Fortress America”, i cili mbështetet në pesë shtylla dhe synon të garantojë funksionimin e instalimeve ushtarake, edhe në rast se një sulm kibernetik ose sabotim nxjerr jashtë funksionit rrjetin elektrik civil.

Hegseth kishte përmendur objektivin e 90 ditëve të autonomisë, por kjo nuk është përfshirë në dokumentin përfundimtar.

Japonia përqendrohet kryesisht te rreziku i tërmeteve.

Më 2 nëntor, në ditën e krijimit të Agjencisë së re Kombëtare për Menaxhimin e Fatkeqësive, qeveria u kërkoi familjeve të siguronin ujë dhe ushqime për të paktën tri ditë, mundësisht edhe për një javë.

Në Tajvan, qeveria ka përgatitur një udhëzues në letër, me këshilla se si duhet të veprojnë qytetarët në rast krize. Ai është shtypur në letër që njerëzit të mund ta lexojnë edhe nëse ndërpritet energjia elektrike dhe nuk funksionon interneti. /

Lini një koment