Buxheti 2027/ Zv/ministrja e Arsimit: Nga janari orar i zgjatur në shkolla, deri në 50 mijë lekë bursa për studentët!
Arsimi parauniversitar me orar të zgjatur deri në orën 17:00, duke nisur nga janari.
Krahas këtij ndryshimi, Ministria e Arsimit parashikon zgjerimin e programeve pas mësimit, ku nxënësit do të kenë mundësi të kryejnë edhe detyrat shkollore. Ndërkohë, për studentët parashikohen bursa financiare që variojnë nga 10 mijë deri në 50 mijë lekë të reja, në varësi të rezultateve akademike.
Këto janë disa nga masat e bëra publike nga zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, në një intervistë për emisionin “Tirana Live”, ku foli për investimet në arsimin parauniversitar, atë universitar dhe kërkimin shkencor, si dhe për mbështetjen financiare ndaj studentëve.
Osmani theksoi se synimi kryesor është rritja e cilësisë në arsim, përmirësimi i shërbimeve për studentët dhe përafrimi i sistemit arsimor me kërkesat e Bashkimit Evropian, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 26.
“Arsimi parauniversitar do të ketë një investim të lartë, arsimi universitar dhe kërkimi shkencor. Është një nga buxhetet më të mira që arsimi ka pasur. Është një nga ato mbështetje sociale që qeveria ka marrë për shoqërinë. Synimi është që të rritet cilësia në arsim. Nga janari do të shkojmë me një orar të zgjatur deri në orën 17:00. Pas shkollës do të jetë edhe programi për të bërë detyrat mësimore.
Ka shumë punë për të bërë. Edhe ky buxhet i dedikuar arsimit do të përkthehet në ato porosi që BE ka dhënë. Kapitulli 26 kërkon vëmendje të dedikuar. Mbyllja e këtyre kapitujve do të thotë më shumë mundësi për studentët dhe arsimin. Hapa janë ndërmarrë ndaj studentëve, por fokusi është përmirësimi i shërbimeve dhe asaj se çfarë ne ofrojmë ndaj tyre.
Ne do të marrim edhe një orientim për karrierën. Ku studentët do të marrin një orientim për karrierën dhe një pagesë motivuese. Bursë 10 mijë lekë të reja për studentët me mesatare 9-10, dhe për studentët ekselentë bursë prej 50 mijë lekësh të reja. Në muajin janar ne do të shtojmë fushën e programeve pas shkolle”, u shpreh zëvendësministrja e Arsimit për ABC News.