E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›15 vjet pritje për drejtësi, aktakuza për vrasjen e Diana Kastratit ishte në gjykatë nga 2023-ta

15 vjet pritje për drejtësi, aktakuza për vrasjen e Diana Kastratit ishte në gjykatë nga 2023-ta

2 vjet e 11 muaj ose 1 mijë e 68 ditë, disa gra të tjera të vrara, dhe një tjetër rast i tmerrshëm si ai Arlinda Zekajt, dhe tek pas këtyre Gjykata Themelore e Prishtinës, ka arritur të caktojë seancën fillestare në rastin e vrasjes së Diana Kastratit.

Siç dëshmon ky dokument, Gjykata në Prishtinë, aktakuzën në mungesë të Prokurorisë e ka pranuar me 8 dhjetor 2023, por seancën e caktoi tek sot, afër 3 vjet pas.

Në këtë Gjykatë nuk kanë treguar për këtë vonesë, dhe nëse riaktualizimi i rastit të Diana Kastratit, pas atij të vrasjes së Arlinda Zekajt, i ka bërë të ndërmarrin veprime.

Përgjigje nuk pati as kur avokati i të akuzuarit, e ngriti këtë çështje para gjyqtares.

“Me marr unë vesh prej mediave kur ka gjykim për hir të ndodhive të fundit në Kosovë, gjithçka mund të quhet por jo drejtësi, çka ka bë kjo landë nga 2023 në Gjykatë keni mirëkuptim…” , ka thënë avokati i të akuzuarit, Haxhi Millaku.

“Kjo seancë është caktuar ka një muaj e gjysmë, ftesat flasin vetë, por kërkesa juaj është…”, ka thënë Sulltane Millaku.

Millaku kërkoi edhe shtyrjen e seancës me arsyetimin se nuk është pajisur me shkresat e lëndës, ani se sipas tij ai është autorizuar nga i akuzuari që nga viti 2011.

Kjo edhe u aprovua nga Gjykata e seanca u shty për në muajin dhjetor. Pas seancës, babai i Diana Kastratit tha se do vazhdojë të kërkoi drejtësi, ndonëse shumë herë dera iu mbyll nga institucionet.

“Unë sot e 15 vite nëse e shumëzojmë here 365 ditë neve na del një numër i madh i mundimeve dhe i vështirë jetës dhe procedurës deri sot, para 1 muaji kemi pranuar një thirrje për gjykim, mirë që ka filluar ky gjykim sipas procedurave apo propozimeve të sistemit u shty ky afat, mirëpo këto janë raste që unë kam ngrit zërin qysh në vitin 2011, para rastit të vajzës sime..”, ka thënë Gëzim Kastrati.

“Do të jetë një kërkesë e vazhdueshme që i pandehuri të ballafaqohet me drejtësinë dhe mungesa e të pandehurit është një drejtësi e mangët mund të themi..”, ka thënë avokatja e familjes, Miranda Haxhiu.

Diana Kastrati është vrarë më 18 maj 2011, nga ish-bashkëshorti i saj, Adnon Jashari në afërsi të shtëpisë ku e ndjera jetonte me prindërit. Ajo ka lënë pas vajzën që atëkohë ishte 8 vjeçe.

Tek para tri dite Adnon Jashari është shpallur në kërkim nga policia e Kosovës, për vrasjen e saj, derisa më herët është raportuar se është lokalizuar në Spanjë, por s’është arritur ekstradimi i tij.

Lini një koment